Në kuadër të përpjekjeve për të ndërtuar një administratë më të hapur dhe më të afërt me komunitetin, Bashkia Elbasan organizon çdo të enjte takime të drejtpërdrejta me qytetarët në ambientet e institucionit. Qëllimi i këtyre takimeve është të dëgjohet zëri i qytetarëve, të merren sugjerimet e tyre, si dhe të jepen përgjigje dhe zgjidhje për çështje të ndryshme që lidhen me shërbimet publike dhe problematikat lokale.
Ky mekanizëm i hapur komunikimi është kthyer në një model të qëndrueshëm bashkëbisedimi dhe transparence, ku qytetarët kanë mundësinë të paraqesin në mënyrë të drejtpërdrejtë shqetësimet apo propozimet e tyre për përmirësimin e jetës në qytet.
Në qendër të kësaj nisme qëndron kujdesi dhe angazhimi personal i Kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, i cili i ka dhënë përparësi ndërtimit të një administrate që dëgjon, ndërhyn dhe ofron zgjidhje reale.
“Qytetarët janë partnerët tanë më të rëndësishëm. Marrëdhënia me ta nuk duhet të jetë e njëanshme, por e vazhdueshme dhe dinamike. Këto takime janë një hap konkret drejt një bashkie më të përgjegjshme dhe më pranë njerëzve,” – ka theksuar Llatja.
Përmes këtij formati të rregullt, shumë qytetarë kanë mundur të ndajnë shqetësime për shërbime komunale, probleme infrastrukturore, çështje sociale apo propozime për zhvillimin e lagjeve dhe komuniteteve të tyre.
Për çdo çështje të ngritur, strukturat përkatëse të bashkisë angazhohen për ta ndjekur dhe adresuar në kohë, duke garantuar që fjala e qytetarit të mos mbetet thjesht dëgjuar, por të shoqërohet me veprim.
Bashkia Elbasan vijon të tregojë se modeli i administrimit lokal mund të jetë transparent, efektiv dhe njerëzor – kur në themel vendoset dëgjimi dhe bashkëpunimi me qytetarin.