Bashkia Elbasan ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik në lidhje me disa aludime për kaos financiar, aludime të cilat i referohen joprofesionalisht dhe jokorrektësisht raportit të KLSH, të cilin e vlerësojmë për gjetjet dhe ndihmën e dhënë në përmirësimin e proceseve të punës.
Sa i përket eficensës në mbledhjen e të ardhurave vendore, Bashkia e Elbasanit ka rritur performancën e saj vit pas viti.
Në vitin 2023 Bashkia Elbasan ka arkëtuar 5% më shumë nga taksat dhe tarifat vendore se viti 2022.
Ndërsa viti 2024 shënoi një rritje të ndjeshme me 25% më shumë arkëtime se viti 2023, duke sjellë një total arkëtimesh në këtë vit me 69.44% nga parashikimi buxhetor.
Ashtu si çdo vit, kemi informuar Keshillin Bashkiak dhe qytetarët mbi performancën financiare apo mbi mosarritjet e mbledhjes së ardhura të parashikuara.
Kryesisht të ardhurat tatimore të pambledhura konsistojnë në biznese të cilat kanë kohë që fizikisht janë mbyllur, por për arsye të ndryshme qëndrojnë akoma aktiv në sistemin fiskal.
Eshtë shumë e rëndësishme të theksohet se Institucioni ka marrë të gjitha masat ligjore për mbledhjen e debisë duke filluar me bllokimin e llogarive bankare, aseteve etj, pavarësisht se një pjesë e detyrimeve kanë lindur që në vitit 2011.
Sa më sipër, biznesi i vogël joaktiv zë 59.27% të vlerës totale të debisë.
Biznes i madh joaktiv zë 33.76% të vlerës totale të debisë.
Në total bizneset joaktive në QKB dhe DRT(me kërkesë për ç’rregjistrim apo pezullim të përkohshëm) zënë 40% të vlerës totale të debisë.
20% e kësaj debie ndaj Bashkisë së Elbasanit i takon institucioneve me kapital shtetëror.
Nga ana tjetër, përsa u përket debitorëve familjarë, ngërçi qëndron në familjet që jetojnë prej shumë vitesh jashtë vendit dhe nuk përfitojnë aktualisht nga shërbimet publike, por taksohen për to.
Për t’i dhënë një zgjidhje këtij problemi, dhe heqjen e tarifave për qytetarët e Elbasanit të cilët prej vitesh jetojnë jashtë vendit dhe nuk janë përfitues të drejtëpërdrejtë të shërbimeve të bashkisë, i jemi drejtuar me shkresat përkatëse instucioneve të cilët mund të disponojnë zyrtarisht listën e shtetasve të cilët jetojnë jashtë vendit (KQZ dhe DPGJC)
Sa i përket mosarkëtimeve në masat administrative të vendosura nga IMT, sqarojmë se pas kalimit të afateve ligjore, Bashkia e Elbasanit i është drejtuar zyrave përmbarimore (siç parashikon ligji) për mbledhjen forcërisht të këtyre detyrimeve.
Hapi tjetër ligjor në këtë rast, janë proceset gjyqësore.
Sa i përket aludimeve për 82 milionë lekë të “zhdukura”, Bashkia Elbasan citon raportin e KLSH i cili, nuk flet për zhdukje të shumave të parave, por në momentin e auditit, për moskoordimin të institucioneve për pasqyrimin e detyrimeve në një regjistër të unifikuar. Pra jo për para të munguara.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit duke vlerësuar konstatimet, ngriti mënjeherë urdhrin administrativ për zgjidhjen e kësaj situate dhe koordimin të plotë e korrekt mes çdo drejtorie.
Kryetari i Bashkisë, gjithashtu, në mbështetje edhe të rekomandimit të KLSH kërkoi masa administrative ndaj punonjësve të cilët nuk janë koordinuar siç duhet mes tyre.
Raporti i KLSH është një dokument publik, transparent dhe i gjithëaksesueshëm, por Bashkia e Elbasanit ndjeu detyrimin të sqarojë opinionin publik për shkak të keqinterpretimeve të qëllimshme që u bëhen shifrave dhe të dhënave të tjera.


























