ATSH-DPA/ – Europa po ndërmerr hapat e parë të kujdesshëm drejt rihapjes së kufijve të saj të brendshëm, pas dy muajve masash bllokimi për shkak të pandemisë, që kanë ulur ndjeshëm lëvizjet e qytetarëve dhe e kanë tronditur sektorin e turizmit.
Disa vende – përfshirë Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën – njoftuan planet për të lehtësuar kontrollet me fqinjët deri në mes të qershorit, ndërsa ekzekutivi i Bashkimit Europian ka nxjerrë një sërë udhëzimesh për udhëtime dhe pushime të sigurta verore.
”Qytetarët e BE-së, duke treguar kujdes maksimal, mund të bëjnë udhëtime relaksuese turistike ose të shohin familjen ose miqtë e tyre nga qershori deri në gusht”, deklaroi eurokomisionerja e Shëndetësisë, Stella Kyriakides.
”Por, ata duhet të jenë të vetëdijshëm se udhëtimi mund të sjellë rreziqe për sa kohë që virusi qarkullon”, theksoi ajo.
“Ne kemi nevojë për të ruajtur vigjilencën, distancën fizike dhe masat paraprake të rrepta shëndetësore, pasi ne nuk do të lejojmë që përpjekjet tona të ikin dëm”, tha zyrtarja e lartë e BE-së.
Udhëtimet ndërmjet zonave që plotësojnë kriteret epidemiologjike duhet të lejohen, sipas këshillave, me kusht që komunitetet pritëse të kenë sisteme të përgatitura mirë të kujdesit shëndetësor dhe aftësi për të gjetur dhe monitoruar përhapjen e Covid-19.
Europa ka regjistruar rreth një milion raste të sëmundjes së frymëmarrjes, por duket se javët e fundit e ka marrë nën kontroll shpërthimin e virusit.
”Bërja e kontrolleve kufitare – të cilat janë kundër rregullave normale të bllokut për lirinë e lëvizjes – mund të shkaktojë një valë të re infeksionesh”, paralajmëron komisioni.
”Qytetarët e BE-së duhet të jenë të përgatitur të shohin kufizime në ritmin e lëvizjes së tyre nëse situata përkeqësohet përsëri”, sipas udhëzimeve.
“Kjo nuk do të jetë një verë normale për asnjë prej nesh”, u tha nënkryetarja e komisionit Margrethe Vestager gazetarëve në Bruksel.
Vendimi për të zbutur kontrollet kufitare është në duart e secilit vend në BE, siç është edhe monitorimi i të dhënave epidemiologjike.
Kufiri i Gjermanisë me Luksemburgun do të jetë i pari që do të hapet, pasi u mor një vendim për të mos zgjatur kontrollet përtej kësaj të premteje, kur ato do të skadojnë.
”Kroacia pret të hapë kufijtë me Slloveninë brenda pak ditëve dhe me shtetasit e tjerë të BE jo më vonë se 15 qershor”, tha dje ministri kroat i Shëndetësisë Gari Cappelli.
Greqia, me një ekonomi të varur nga turizmi, përshëndeti planin e Komisionit Europian për të qetësuar masat.
Vendi prej ditësh po bën bisedime bilaterale me vendet e tjera anëtare të BE-së, si dhe me Izraelin dhe Australinë, duke kërkuar të heqë kufizimet e udhëtimit.
Në marrëveshje me Francën, Zvicrën dhe Austrinë, qeveria gjermane ka vendosur të zgjasë mbylljet e kufijve me ato vende, fillimisht të vendosura të skadojnë këtë fundjavë, deri në 15 qershor.
”Polonia ka vendosur të zgjasë kontrollet kufitare me shumicën e vendeve evropiane për 30 ditë të tjera, deri në 12 qershor”, tha Ministria e Brendshme polake në një deklaratë.
Kufijtë e jashtëm të BE do të qëndrojnë të mbyllur për udhëtarët në udhëtime jothelbësore deri më 15 qershor.
Kur Covid-19 goditi për herë të parë kontinentin, shumë kryeqytete të BE mbyllën kufijtë e tyre me fqinjët, duke shkaktuar kaos dhe bllokime të mëdha trafiku, që zgjatën ditë të tëra.
Komisioni është i interesuar që rihapja e BE të bëhet në një mënyrë më të rregullt, dhe u ka kërkuar shteteve që të mbajnë mallrat që rrjedhin brenda tregut të vetëm të BE gjatë gjithë krizës.
Ekzekutivi i BE bëri dje një paralajmërim për një numër të vendeve anëtare që kanë lejuar linjat ajrore të bëjnë klientët të pranojnë kuponë sesa një kthim të parave për fluturime të anuluara në mes të një krize të likuiditetit të industrisë së aviacionit.
”Ekzekutivi i BE po dërgon letra për të 27 shtetet, duke i nxitur ata të mbështesin të drejtat e pasagjerëve në BE, ndërsa gjithashtu të përcaktojnë mënyrat për t’i bërë kuponat më tërheqës për pasagjerët”, tha eurokomisionerja për Transportin, Adina Valean.
”Nëse shtetet anëtare në fjalë nuk zbatojnë rregullat ekzistuese, sipas të cilave pasagjerët kanë të drejtë të rimbursohen, atëherë komisioni është i vendosur të ndjekë procedurat ligjore”, shtoi Valean./ a.jor.