vropa është “e përgatitur mirë”, falë kapaciteteve të magazinimit dhe masave për ruajtjen e energjisë, nëse Rusia vendos të ndërpresë plotësisht furnizimin me gaz, tha një udhëheqës i lartë i BE-së të shtunën mes të një beteje energjetike të intensifikuar midis Rusisë dhe Perëndimit për shkak të luftës në Ukrainë.
“Ne jemi të përgatitur mirë për t’i rezistuar përdorimit në nivel ekstrem si armë të gazit nga Rusia”, u tha gazetarëve Komisioneri i BE-së për ekonominë, Paolo Gentiloni gjatë një forumi ekonomik në Itali. “Ne nuk kemi frikë nga vendimet e presidentit rus Vladimir Putin, ne po kërkojmë nga rusët të respektojnë kontratat, por nëse ata nuk e bëjnë këtë, ne jemi të gatshëm të reagojmë.”
Komentet e zotit Gentiloni pasojnë vendimin e Moskës të premten për të shtyrë rihapjen e tubacionit të saj kryesor të gazit që e lidh Rusinë me Gjermaninë. Rusia, përmes këtij vendimit, po reagon ndaj marrëveshjes së grupit të shtatë vendeve më të industrializuara të botës për të kufizuar çmimin e eksporteve të naftës ruse me synim për të pakësuar fitimet e Moskës.
Zoti Gentiloni tha se qendrat e magazinimit të gazit në Bashkimin Evropian “aktualisht janë të mbushura në një nivel rreth 80%, falë politikave të zgjerimit të burimeve energjetike “, megjithëse situata dallon nga vendi në vend.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin e ministrave të financave të vendeve të grupit G-7.
“Kur ky mekanizëm të zbatohet, ai do të bëhet një element i rëndësishëm i mbrojtjes së vendeve të civilizuara dhe tregjeve të energjisë nga agresioni hibrid rus”, tha të premten presidenti Zelenskyy.
Përplasja lidhur me furnizimin me energji ndodh në një kohë kur forcat ruse dhe ukrainase po sulmojnë njëra-tjetrën pranë termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, ku inspektorët e OKB-së po përpiqen të shmangin një katastrofë të mundshme bërthamore./ Voice Of America
Top Channel


























