MEÇAJ: NDËRHYRJE NË MOMENTIN E DUHUR

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndërmarrë aksionin për dezinfektimin e tokave bujqësore me qëllim zhdukjen e insektit dëmtues në bujqësi, karkalecit. Sot në një sipërhaqe prej 60 ha në fshatin Gjolen në Belsh nisi spërkatja me pesticide e vatrës ku është shfaqur dëmtuesi i karkalecit.

Procesi është ndjekur nga afër nga drejtori i Përgjithshëm i AKVMB, Roland Meçaj, i cili garantoi fermerët për marrjen e masave dhe kryerjen e dezinfektimit në zhdukjen e insektit dëmtues.

Aktualisht tha ai, insekti është shfaqur në sipërfaqe relativisht të vogla në bashkinë Divjakë dhe Belsh ku po ndërhyhet me insekticide, që janë miqësore me mjedisin dhe prodhimin.Meçaj theksoi se, tani është momenti i duhur për të ndërhyrë, pasi jemi në fazën e tretë të larvave dhe procesi do të zbatohet sipas planit të përcaktuar nga ekspertët.

Ai vuri në dukje se ky fenomeni është sezonal dhe nga masat e marra në mënyrë të vazhdueshme këtë vit paraqitet në numër më të ulët vatrash se vitin e kaluar. Meçaj i bëri apel fermerëve të bashkëpunojnë me autoritetet dhe të mobilizohen bashkë me strukturat e drejtorisë së bujqësisë së qarkut, në funksion absolut të këtij qëllimi, shfarosjen e karkalecit.

EDLIRA XHERRI