Donald Trump Jr ka hedhur akuza të rënda ndaj presidentit Joe Biden, duke thënë se administrata e demokratit po përpiqet të nisë Luftën e Tretë Botërore, përpara se Donald Trump të marrë detyrën si president.

Ai thotë se administrata e Biden i ka dhënë ‘dritën jeshile’ Ukrainës për të përdorur raketa amerikane me rreze të gjatë për të goditur brenda territorit rus dhe se kjo është përpjekje e rrezikshme për të minuar babain e tij, disa javë para se të marrë detyrën.

Sipas djalit të Donald Trump, pas këtij ndryshimi të papritur të politikës së Uashingtonit, që kishte si synim kryesor depërshkallëzimin e luftës, fshiheshin motive. “Duket se kompleksi ushtarako-industrial dëshiron të sigurohet që Lufta e Tretë Botërore të fillojë përpara se babai im të sjellë paqe dhe të shpëtojë jetë,” shkroi 36-vjeçari në një postim në rrjetet sociale.

Kujtojmë se vendimi i Biden i lejon Ukrainës të përdorë raketa të sistemeve raketore taktike të ushtrisë (ATACMS) të prodhimit amerikan në rajonin Kursk, në kufirin verilindor me Rusinë. Këto raketa kanë një rreze veprimi prej rreth 350 km.

Top Channel