ATSH/ Presidenti i SHBA-së, Joe Biden miratoi dje një Urdhër Ekzekutiv të ri, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal; cënojnë proceset demokratike dhe përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë publikoi sot Urdhrin e plotë Ekzekutiv, ku ndër të tjera ka një referencë të qartë për Shqipërinë.
“Një referencë e qartë për Shqipërinë bën të qartë se Urdhëri Ekzekutiv është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike. Urdhi Ekzekutiv i djeshëm është një mjet jetik drejt arritjes së këtij qëllimi të përbashkët”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA-së në Tiranë.
Në letrën e drejtuar kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe presidentit të Senatit mbi bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në SHBA të personave të caktuar që kontribuojnë në destabilizimin e situatës në Ballkanin Perëndimor, Biden thekson se “urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve duke përfshirë Shqipërinë dhe rrit kriteret e përcaktimit për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të SHBA dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, përfshirë pengimin e gjykimeve demokratike dhe juridike, korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Në këtë urdhër të ri ekzekutiv, presidenti amerikan kërkon bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në SHBA të personave të caktuar, që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Biden, persona të tillë përbëjnë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
“Duke marrë parasysh se situata në territorin e ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), në dy dekadat e fundit, përfshirë dobësimin e marrëveshjeve dhe institucioneve të pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionit të përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, ekzistojnë pengesa drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, të cilat përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA. Urdhri zgjeron hapësirën gjeografike të regjimit ekzistues të sanksioneve duke përfshirë Shqipërinë dhe rrit kriteret e përcaktimit për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të SHBA dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, përfshirë pengimin e gjykimeve demokratike dhe juridike, korrupsionin dhe krimin e organizuar”, thuhet në letrën e presidentit të SHBA-së.
Biden nënvizon se “veprimet që minojnë marrëveshjet dhe institucionet e pasluftës pas shpërbërjes së ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si dhe korrupsionin e përhapur brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor, pengojnë progresin drejt një qeverisjeje efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, dhe kështu përbën një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA”.
“Prandaj kam vendosur se është e nevojshme të bllokohen pasuri dhe interesa pronësore të të gjithë personave që janë përcaktuar nga sekretari i Thesarit, në konsultim me sekretarin e Shtetit, se minojnë proceset demokratike ose institucionet, minojnë çdo siguri rajonale, paqeje, bashkëpunimi ose marrëveshjet e njohjes reciproke apo kuadër ligjor apo mekanizëm llogaridhënieje, të përfshirë në shkelje serioze të të drejtave të njeriut ose të përfshirë direkt ose indirekt në akte korrupsioni në Ballkanin Perëndimor. Të gjithë departamentet dhe agjencitë ekzekutive nxiten të marrin të gjitha masat e duhura brenda autoritetit të tyre për të ekzekutuar dispozitat e këtij urdhri”, deklaron Biden.
“Të gjitha pronat apo interesat pronësore që janë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe të pronave që mund të vijnë më pas brenda Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose që janë ose që mund të vijnë më pas në posedim ose kontroll të ndonjë personi të Shteteve të Bashkuara të personave të mëposhtëm janë të bllokuara dhe nuk mund të transferohen, paguhen, eksportohen, tërhiqen ose tregtohen ndryshe te çdo person i përcaktuar nga Sekretari i Thesarit, në konsultim me Sekretarin e Shtetit”, theksohet në urdhrin e firmosur nga Biden.
“Të jesh përgjegjës ose bashkëpunëtor apo të përfshihesh drejtpërdrejt ose indirekt në korrupsion në Ballkanin Perëndimor, përfshirë korrupsionin nga, në emër të, ose të lidhur me një qeveri në Ballkanin Perëndimor, ose një zyrtar aktual ose ish-zyrtar i qeverisë në çdo nivel qeverisjeje në Ballkanin Perëndimor, të tilla si keqpërdorimi i pasurisë publike, shpronësimi i pasurive private për përfitime personale ose qëllime politike apo ryshfet”, nënvizohet në këtë urdhër firmosur nga Biden.
/m.m/


























