Sipas saj, kjo masë synon të lehtësojë kostot shtesë për punëdhënësit që kanë punonjës me paga të ulëta, pas vendimit për rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë duke filluar nga janari 2026.

Kompensimi do të përfitohet për punonjësit që në shtator të vitit 2025 kanë pasur një pagë bruto nga 40 mijë deri në 49 999 lekë, ndërsa mbështetja financiare do të mbulojë një pjesë të kontributeve që paguhen mbi diferencën e pagës.

Periudha e kompensimit është përcaktuar nga janari deri në shtator 2026, ndërkohë që përfitimi kushtëzohet edhe nga ruajtja e numrit të punonjësve nga ana e biznesit.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se aplikimi për këtë skemë realizohet online përmes platformës e-Albania, përmes shërbimit “Kërkesë për kompensim financiar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore”.

Po ashtu, lista e bizneseve përfituese është publikuar në portalin zyrtar të punësimit, duke mundësuar transparencë dhe akses të plotë për subjektet e interesuara.

Kjo nismë është pjesë e paketës së politikave që synojnë mbështetjen e sipërmarrjes dhe formalizimin e tregut të punës, duke amortizuar efektet e rritjes së pagës minimale në ekonomi.

/e.xh/r.e/a.f/