ATSH – I. Vata/-Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadorin e OSBE-së, Bernd Borchardt, dhe Ambasadorin e Zvicrës, Adrian Maître.
Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e zbatimit të projektit “Mbështetje Kuvendit dhe Projektit për Edukimin Qytetar”, PACEP.
Kryetari i Kuvendit Ruçi falenderoi Ambasadorin e Zvicrës Maître për financimin e këtij projekti si edhe Ambasadorin e OSBE-së Borchardt për fillimin e suksesshëm të zbatimit të tij.
“Fillimi i zbatimit të projektit erdhi në një kohë që para Kuvendit të Shqipërisë u shtrua imperativi i funksionimit online dhe kontributi i projektit PACEP ishte një mbështetje e madhe për zhvillimin online të mbledhjeve të komisioneve dhe veprimtarive të tjera parlamentare. Në këtë mënyrë Kuvendi i përmbushi me sukses funksionet tij ligjvënëse dhe kontrolluese edhe gjatë pandemisë. Ishte edhe kontribut i këtij projekti që Kuvendi siguroi transparencë maksimale dhe akses të plotë të medias dhe qytetarëve në veprimtarinë parlamentare gjatë pandemisë”, nënvizoi Ruçi.
Ambasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt, nënvizoi se “Kuvendi i Shqipërisë është ndër parlamentet e parë europianë që funksionoi online dhe krijoi një eksperiencë unike, të dobishme edhe për parlamentet e tjera, sidomos për sigurimin e informimit në kohë reale për veprimtaritë parlamentare, transparencën e mbledhjes së komisioneve dhe veprimtarive të tjera si edhe informimin e publikut dhe qytetarëve.
Ndërsa, Ambasadori i Zvicrës, Adrian Maître, vuri në dukje se “Kuvendi i Shqipërisë funksionoi me intensitet dhe produktivitet të lartë edhe gjatë pandemisë së Covid-19, duke përmbushur detyrat ndaj vendit dhe qytetarëve. Gjatë këtyre muajve Kuvendi i Shqipërisë krijoi një eksperiencë të jashtëzakonshme, e cila mund t’u shërbeje edhe parlamenteve të vendeve të tjera të Europës dhe botës. Dhe Ju, si Kryetar, meritoni përgëzimet më të larta për kontributin dhe lidershipin Tuaj të urtë.”
Kryetari i Kuvendit, Ruçi dhe ambasadorët Bernd Borchardt dhe Adrian Maître biseduan dhe vlerësuan masat e Qeverisë së Shqipërisë për daljen nga pandemia, fillimin e rritjes së ekonomisë dhe normalizimin e jetës ekonomike e sociale të vendit.
Gjithashtu, Ruçi dhe ambasadorët Borchardt dhe Maître diksutuan edhe mbi ecurinë e reformës zgjedhore si edhe objektivin e Kuvendit që reforma të kryhet brenda këtij sesioni parlamentar. /a.g/