ATSH/ Bordi i Transparencës vendosi uljen e çmimit të naftës në pikat e tregtimit me pakicë nga 237 lekë për litër që ishte, në 231 lekë për litër, për periudhën 1-2 prill.

Në mbledhjen e djeshme, Bordi vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.

Bordi i Transparencës miratoi çmimin tavan të tregtimit me shumicë të produkteve për datën 1-2 prill. Konkretisht çmimi i naftës me shumicë do të jetë 219 lekë/litri, çmimi i benzinës 200 lekë/litri dhe çmimi i gazit të lëngshëm 103 lekë /litri.

Ndërsa çmimet tavan të tregtimit me pakicë janë: nafta do të tregtohet me 231 lekë/litri, benzina me 212 lekë/litri dhe gazi i lëngshëm me 115 lekë /litri.

Çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën.

Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datën 1 dhe 2 prill, me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes me pakicë të këtyre nënprodukteve, të ndryshimeve të mundshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë i nënprodukteve të naftës është i detyruar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës, në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë.

Organet ligjzbatuese do të kontrollojnë zbatimin e vendimeve të Bordit të Transparencës çdo ditë.

Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullim aktiviteti,heqje licence dhe sekuestrim./m.m/