Sipas ekspertëve Bosnjë-Hercegovina mund të kryesonte në rajon për prodhimin e energjisë së rinovueshme. Por korrupsioni, industria e fuqishme e qymyrit dhe burokracitë e shumta janë pengesë.
Tri vite më parë një grup aktivistësh vendas në fshatin Pecka, në veri të Bosnjë Hercegovinës, u bënë bashkë për shfrytëzimin e potencialit diellor dhe ndërtuan panele diellore në çatinë e Qendrës së Vizitorëve në Pecka. Ky ishte i pari i këtij lloji në pjesën rurale të Bosnjës. Nisma Pecka ishte rezultati i një fushate me mbledhje fondesh, në fund të së cilës u mblodh shuma prej 7 mijë eurosh. Kjo nismë përputhej me Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara, UNDP.
Megjithatë, një vit pas instalimit, 15 panelet diellore nuk kanë prodhuar një kilovat të vetëm energji elektrike. Ligji që rregullon furnizimin e rrjetit të energjisë mbetet i papërfunduar dhe qendra i druhet përdorimit të sistemit të instaluar për të prodhuar energjinë e tij, njohur si vetë-konsum, pasi më vonë kjo mund të ndërlikonte lidhjen me rrjetin.
Megjithëse aktualisht furnizimi nëpërmjet energjisë së rinovueshme në Bosnjë është tepër i vogël, Miljevic është i bindur se vendi ka potencialin për të udhëhequr Ballkanin Perëndimor, përsa i përket prodhimit të energjisë së rinovueshme. “Tani është koha për ujë, diell dhe erë” – thotë ai. “Në të treja kategoritë, Bosnjë Hercegovina ka mbase kushtet më të mirë klimatike në Europë. Në vend që ta përdorin këtë energji si mundësi zhvillimi – duke kaluar nga një lloj energjie në tjetrën – ata thonë ‘Jo’, ne do të vazhdojmë me qymyrin, derisa kjo të zgjasë”./DW
Top Channel



























