ATSH – I. Vata/ Deputeti i PS-së Erion Braçe në interpelancë sot në Kuvend me ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, kërkoi më shumë vëmendje nga qeveria për uljen e çmimeve për plehrat kimikë, kripëzimin e tokës, vaditjen e tokës dhe kujdesen për kanalet kulluese.
Në fjalën e tij, Braçe u shpreh se kemi tre probleme të mëdha në bujqësi, sot dhe në vijim gjithçka ka ndryshuar dhe po ndryshon.
“E para ka të bëjë me çmimet e rritura të imputeve bujqësore, plehrave kimike. E dyta, ndryshimet e klimës, e cila ka impakt të fortë në ciklet e prodhimit, nevojën për ujë jashtë sezoneve normale. E treta, kripëzimi i tokave nga përdorimi masiv dhe i përditshëm i puseve nëntokësore veçanërisht në zonat afër brigjeve detare e me komunikim nëntokësorë me to, siç është zona e Divjakës. Në qoftë se po bën mirë në aspektin me naftën, në këtë aspekt qeveria po përsërit vetveten. “Nuk kemi çfarë të bëjmë është tregu nuk ndërhyjmë në të”. Në fakt nuk është as tregu dhe nuk është as i lirë, është i kapur dhe i përqëndruar deri në fund. Dy-tre kompani që zotërojnë 95-98% të importi të një produkti nuk bëjnë treg, bëjnë një kartel shumë përfitues për tre vetë”, tha ai.
Braçe shtoi se “gruri del me humbje, misri del me fitim se nuk garanton pagën në 6 muaj. Bari dhe jonxha dalin me humbje. Serat në dy sezone dalin me humbje. Blegtoria, lopët dalin me humbje. Mishi me i liri ai i derrit që nuk paguan as pagën minimale”.
“Këtu mbivendoset edhe problemi i madh në shitje që favorizojnë grumbullues dhe jo bujkun apo fshatarin. Për të dytin problem nuk ndodh asgjë dhe duke pa rëndësi deri kur një breshër shkatërron prodhimin, kalbin bimët dhe lumenjtë marrin para prodhimin, apo ujë munguar thanë gjithçka. Domatet dështojnë të bëjnë fryt se me demek në korrik nuk mbyllet. Për të tretin problem ka një përpjekje të madhe për të siguruar ujin e ëmbël për vaditje. Është bërë një punë e madhe në 8 vite. Lushnjë dhe Divjakë kanë katër degë vaditje. Dega e Çukasi që ujit gati 10 mijë hektar është rehabilituar plotësisht me 29 km. Sekondare janë 16, por janë rehabilituar vetëm 14 me beton, ndërsa 2 sekondaret me gjatësi 780 metra që vadit 40 ha tokë nuk është veshur me beton. Një tjetër sekondare 354 m që ujit 20 hektar është i pa rehabilituar. Sekondaret e degës së Çukasit, janë 59 km, por prej tyre janë veshur me beton 8 kilometra. Dega e Krutjes ujit një sipërfaqe prej 8600 hektar dhe është e veshur me beton në gjatësinë prej 23 km, sekondaret janë 45 dhe nga këto 24 janë veshur me beton. Dega e Tërbufit me dy nëndegët bëjnë 22 me 4600 hektarë dhe një gjatësi prej 8.5 kilometra janë rehabilituar totalisht”, theksoi deputeti i PS-së.
Braçe shtoi se “edhe për kullimin ka një përpjekje shumë të madhe nga qeveria, por dhe në bashkitë dhe kanalet pastrohen vazhdimisht. Po përtej kësaj kjo vjeshtë do të kthehet në një problem për shkak të çmimit të naftës dhe kostos së punës”.
“Hidrovori i ri i erdhi në ndihmë zonës, lagunës dhe parkut dhe kanaleve. Tjetri është në rinovim e sipër në Karavasta. Por a mjaftojnë kaq? Unë mendojë që jo. Një pjesë e skemave ujitëse nuk janë efektive. Projekte e Bankës Botërore kanë lënë pas kilometra kanale të pa rehabilituara dhe të gjitha bashkë bëjnë qindra hektarë tokë pa vaditur dhe punuar. Kostot janë të papërballueshme po përtej kësaj janë burimet ujore sepse ajo që dua të dëgjoj sot në këtë sall është beteja për ujin”, tha ai.



























