BRUKSEL, 9 prill /ATSH-DPA/ Bashkimi Evropian ka fajësuar Rusinë për sulmin me raketa që vrau dhjetëra banorë në një stacion hekurudhor në Kramatorsk të Ukrainës, duke e quajtur atë një krim lufte.

“Ky ishte një bombardim brutal i civilëve të pafajshëm, duke përfshirë shumë fëmijë, të cilët po iknin mes frikës së një sulmi tjetër rus ndaj shtëpive dhe vendit të tyre”, tha një zëdhënës i BE-së.

“Ata që janë të përfshirë në këtë krim lufte duhet të mbajnë përgjegjësi. Nuk duhet të ketë pandëshkueshmëri për krimet e luftës. BE mbështet masat për të bërë përgjegjës ata që kanë shkelur të drejtat e njeriut dhe ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha zëdhënësi.

SHBA-ja ka fajësuar gjithashtu forcat ruse për sulmin në stacionin hekurudhor.

Sipas zyrtarëve ukrainas, mbi 50 persona janë vrarë dhe më shumë se 100 të tjerë janë plagosur.//a.i/