ATSH-AFP/ – Eurodeputetët vendosën të votojnë urgjentisht mbështetjen e re financiare të BE-së për Ukrainën në shumën e 1,2 miliardë eurove për të ndihmuar këtë vend të kërcënuar nga një konflikt i ri me Rusinë.

Kjo kredi 12-mujore e disbursuar në dy këste u propozua nga Komisioni Evropian në fund të janarit.

”Një votim i dytë, për të ratifikuar këtë propozim, nuk është bërë ende gjatë seancës plenare që do të mbahet në Strasburg deri të enjten”, theksoi një zëdhënës i Parlamentit Evropian.

Sipas presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, BE-ja dhe institucionet e saj financiare kanë mobilizuar tashmë “17 miliardë euro grante dhe kredi” për Ukrainën që nga aneksimi i Krimesë nga Moska në 2014.

Pothuajse tetë vjet pas këtij aneksimi, i konsideruar i paligjshëm nga BE-ja, konflikti midis dy vendeve është intensifikuar, me Moskën që mbështet pretendimet e separatistëve prorusë të republikave të vetëshpallura të Luganskut dhe Donetskut në Donbas (Ukraina Lindore) dhe duke grumbulluar më shumë se 100 000 ushtarë në kufi./   /os/