ATSH-DPA/- Ushtria gjermane, Bundeswehr ka nevojë për deri në 60,000 ushtarë aktivë të tjerë për të zgjeruar kapacitetet e saj mbrojtëse siç parashikohet brenda NATO-s, sipas ministrit të Mbrojtjes, Boris Pistorius.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s do të takohen sot në Bruksel, ku pritet të bien dakord mbi objektivat e reja për kapacitetet ushtarake për pengim dhe mbrojtje.

Për të siguruar që objektivat e NATO-s të përmbushen, shteteve anëtare do t’u caktohen objektiva të reja kombëtare për kapacitetet e tyre ushtarake, duke përfshirë armatimin.

Përpara takimit, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha se mbrojtja ajrore dhe raketore, armët me rreze të gjatë veprimi, logjistika dhe formacionet e mëdha të forcave tokësore janë ndër prioritetet kryesore të aleancës.

Gjermania ka pasur vështirësi në zgjerimin e ushtrisë së saj. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në fund të vitit 2024 kishte rreth 181,150 ushtarë, duke mos arritur objektivat e mëparshme të rekrutimit. //a.i/