ATSH-ANSA/ – Dërgimi i një mesazhi të fortë politik për rëndësinë, tani më shumë se kurrë, i partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një partneritet që po përparon në terma dhe veprime konkrete.

 

Ky është objektivi kryesor i Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet sot në Bruksel.

 

Ky është samiti i parë i thirrur nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili, tre ditë pas mandatit të tij, shtroi një darkë joformale me liderët e Ballkanit, duke demonstruar vëmendjen e treguar për rajonin.

 

Samiti do të ndahet në dy sesione kryesore.

 

I pari i kushtohet bashkëpunimit politik dhe ekonomik BE-Ballkani Perëndimor.

 

Ndër temat e rendit të ditës, zbatimi i planit të rritjes për rajonin si dhe përshpejtimi dhe thellimi i angazhimeve politike të BE-së me Ballkanin Perëndimor në fushën e politikës së përbashkët dhe të sigurisë.

 

Një tjetër dosje në tryezë do të jetë pajtimi, bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, të një rëndësie thelbësore për avancimin e procesit të anëtarësimit të partnerëve ballkanikë në BE.

 

Gjatë seancës së dytë, të planifikuar për darkën e punës, diskutimi do të fokusohet në kontekstin gjeopolitik, veçanërisht në luftën në Ukrainë dhe ndikimin hibrid të Rusisë në vendet e rajonit.

 

Vetë zgjerimi nuk do të jetë temë diskutimi, edhe nëse samiti do të jetë një mundësi për të përsëritur perspektivën evropiane të partnerëve ballkanikë.

 

Sipas një zyrtari të lartë evropian, samiti do të pasohet nga një vizitë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së në rajon “në fillim të vitit të ardhshëm”./ a.jor.