/ATSH/ Banka e Shqipërisë ka miratuar rregulloren “Për krijimin dhe funksionimin e shoqërisë për administrimin e aktiveve bankare”.
Sipas relacionit që shoqëron këtë rregullore, kjo shoqëri do të jetë pjesë eventuale e skemës së ndërhyrjes së jashtëzakonshme, si entiteti ku do të injektohen fondet publike për të marrë nën kontroll bankat në vështirësi.
Banka e Shqipërisë bën të ditur se, qëllimi final i saj do të jetë administrimi i aktiveve, të drejtave ose detyrimeve të transferuara pranë saj, me qëllim maksimizimin e vlerës së tyre nëpërmjet shitjes. Në rastin kur e vlerëson të nevojshëm përdorimin e fondeve publike për të shpëtuar një bankë, Banka e Shqipërisë i paraqet propozimin Ministrisë së Financave, me qëllim krijimin dhe financimin e kapitalit të Shoqërisë për administrimin e aktiveve, si instrument i ndërhyrjes së jashtëzakonshme.
Shoqëria mund të vendosë shitjen në treg të kredive ose të portofolave të kredisë, në përputhje me çmimin më të mirë të mundshëm, titullzimin ose rifinancimin e portofolave të kredisë ose mbajtjen, rifinancimin, shitjen ose shlyerjen e titujve financiarë përkatës.

























