Banda më e madhe e muzikës pop në botë, BTS, rikthehet në skenë pas disa vitesh mungesë, duke ndezur entuziazmin e qindra mijëra fansave në Korenë e Jugut dhe në mbarë globin.
Në sheshin qendror në Seul pritet të mblidhen rreth 260 mijë persona për koncertin e parë të grupit që nga tetori i vitit 2022.
Vetëm 22 mijë prej tyre do të mund ta ndjekin nga afër performancën, ndërsa pjesa tjetër do ta shohë përmes ekraneve gjigante të vendosura në qytet. Koncerti njëorësh do të përfshijë këngë nga albumi i ri “Arirang”, që publikohet një ditë para eventit dhe pritet të rikthejë energjinë e grupit në industrinë globale të muzikës.
Rikthimi i BTS vjen pas përfundimit të shërbimit ushtarak të detyrueshëm nga të gjithë anëtarët, duke hapur një kapitull të ri për grupin që ka dominuar skenën ndërkombëtare për vite me radhë.
Ndërkohë, një turne botëror me 82 koncerte në mbi 30 qytete pritet të nisë muajin e ardhshëm. Autoritetet koreano-jugore kanë marrë masa të jashtëzakonshme sigurie për eventin.
Rreth 7 mijë efektivë policie, përfshirë njësi speciale dhe sisteme kundër dronëve, janë vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e koncertit.
Zona përreth është kthyer në një stadium të hapur, me kontrolle të rrepta dhe kufizime në hyrje-dalje. Koncerti do të transmetohet live në Netflix, duke e kthyer këtë rikthim jo vetëm në një ngjarje muzikore, por edhe në një moment global për industrinë e argëtimit dhe fuqinë kulturore të Koresë së Jugut.
Top Channel



























