TIRANË, 22 qershor /ATSH – I. Vata/- Bashkia Bulqizë në bashkëpunim me PNUD organizoi një aktivitet informues me të rinjtë e Gjimnazit “Rifat Manjani”, në Njësinë Administrative Shupenzë të Bulqizës.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të ngjarjeve të fundit, ku pati një sensibilizim të fortë të opinionit publik ndaj dhunës me bazë gjinore, kryesisht dhunës ndaj grave.
Gjatë takimit u dhanë informacionet e nevojshme rreth funksionimit të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës në familje në Bashkinë Bulqizë.
Në fokus të bashkëbisedimit ishte ndërgjegjësimi i të rinjve në përpjekjen kundër çdo lloj akti të dhunshëm në familje dhe kryesisht ndaj gruas. Në këtë takim morën pjesë nxënës nga gjimnazi “Rifat Manjani”, koordinatorja për menaxhimin e rasteve të dhunës në familje, përfaqësues nga NJVKSH etj.
Gjatë bashkëbisedimit me pjesëmarrësit, një rëndësi e veçantë iu kushtua edhe rolit të shkollës, si një institucion i rëndësishëm socializues, e cili luan një rol thelbësor në thyerjen e steriotipeve gjinore edhe edukimin gjinor të brezave të rinj.
Ky takim u organizua nga Bashkia Bulqizë dhe u mbështetet nga UNDP Shqipëri, në kuadër të Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara, “Për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”, financuar nga Qeveria e Suedisë dhe që po zbatohet nga UNDP, UN Women dhe UNFPA, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë.
ATSH