Deputeti i Elbasanit, Adi Qose, i është drejtuar Ministrit të Financave, z. Petrit Malaj, duke theksuar domosdoshmërinë që ka qyteti i Elbasanit dhe i gjithë rajoni për nisjen sa më parë të punimeve për Bypass-in e Elbasanit.

 

“Bypass-i i Elbasanit është një domosdoshmëri për shkak të trafikut të rënduar që përjeton çdo ditë qyteti. Kjo rrugë nuk i shërben vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe atyre të Peqinit, Cërrikut, Librazhdit, Prrenjasit, Belshit e Gramshit, si dhe gjithë zonës së juglindjes,” u shpreh deputeti Qose.

Ai shtoi se, në një kohë kur puna për Korridorin VIII Elbasan–Lekaj po ecën me ritme të shpejta, është momenti që të çohen përpara paralelisht edhe punimet për Bypass-in e Elbasanit.

 

“Ky projekt është shumë i rëndësishëm jo vetëm për jetën dhe qarkullimin brenda qytetit, por edhe për ekonominë, turizmin dhe lidhjen me pjesën tjetër të vendit. Elbasani është një nyje strategjike, dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e gjithë rajonit,” nënvizoi Qose.

 

Nga ana e tij, Ministri i Financave, z. Petrit Malaj, bëri të ditur se projekti i Bypass-it të Elbasanit është përfshirë tashmë në dokumentet buxhetore dhe financiare të qeverisë.

“Sa i përket projektit të Bypass-it të Elbasanit, ne e kemi parashikuar në aktin normativ të miratuar në muajin tetor, me një fond që do të mundësojë nisjen e punimeve. Gjithashtu, ai është parashikuar në buxhetin afatmesëm 2026–2028, si një nga prioritetet kryesore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë,” deklaroi ministri Malaj.

 

Kjo konfirmon angazhimin institucional për të përshpejtuar procedurat dhe për të nisur sa më shpejt një investim të rëndësishëm për qarkun e Elbasanit dhe gjithë juglindjen e vendit.