Sezoni futbollistik është në momentet më të rëndësishme dhe në Angli, Arsenali është një prej pretendentëve për të fituar si Premier League ashtu edhe Champions League.

Por mbrojtësi italian i Topçinjve të Londrës, Riccardo Calafiori fillimisht mendon për përfaqësuesen italiane dhe objektivin e saj. Në një intervistë për Sportëeek, Calafiori është gati të luajë ndeshjet e playoffit me Të Kaltrit.

‘Ndjesitë janë pozitive, ka një dëshirë shumë të madhe për të shkuar në Botëror.-tha Calafiori-mezi prez që të jem në Coverciano me shokët e skuadrës. Historia na mëson se nëse ia dalim të jemi një grup, mund të përballemi me këdo. Edhe në SHBA,nëse do të shkojmë, mund të ndodhë gjithçka’

Asnjë frikë nga Irlanda e Veriut dhe më pas nga Bosnja apo Uellsi, përkundrazi.

‘Nëse luajmë siç dimë ne, do të shkojmë në Botëror-shtoi Calafiori-në letër jemi superiorë, duhet të besojmë te forcat tona. Vërdallë ka pak negativitet, por unë jam i sigurt se kombëtarja dhe tifozët do të jenë në të njëjtën linjë. Objektivi është i arritshëm, të mbetemi kompaktë’.

Mbrojtësi italian foli më pas për eksperiencën e tij në Londër duke konfirmuar se ndihet mirë te Arsenali.

‘Arsenali është Arsenal, një skuadër ikonë, e ndryshme nga të gjitha të tjerat-tha Calafiori-kam dëshirë të fitoj, e kam të nevojshme. Flasim çdo ditë për objektivat tona, por përceptoj një qetësi të madhe’.

Futbollisti italian iu rikthye në një moment edhe së kaluarës dhe fillimit të vështirë të karrierës së tij në Serie A sidomos në Romën e tij.

‘Ndoshta e zhgënjeva Mourinhon, pas ndeshjes ndaj Bodo në Conference League, ndryshoi gjithçka-tregon Calafiori-kur u ktheva nga huazimi në Genoa, mësova përmes një mesazhi se isha jashtë skuadre. Pyesja veten nëse fati im do të ishte në kategoritë më të ulëta, por kisha besim: nuk ëndërroja kurrë të isha një futbollist normal, doja të arrija aty ku jam tani. Ajo humbje e rëndë më bëri që të rritem’.

Te Genoa, trajneri Blessin e quante  “italian bastard” dhe në asnjë moment Calafiori nuk ka pasur simpati për të. ‘Edhe tani pas kaq vitesh nuk kam ndjesi pozitive për të-tha mbrojtësi-skuadra ra nga kategoria dhe ne u zumë’.

Më pas erdhi ndryshimi me Bolognan e Thiago Motta: ‘Ai, Spalletti dhe Arteta më kanë ndryshuar jetën. Spalletti më grumbulloi në Evropian edhe pse konkurrenca ishte e madhe,  asisti te Zaccagni në ndeshjen kundër Kroacisë ishte emocioni më i fortë në karrierën time’-përfundoi Riccardo Calafiori.

Top Channel