Vendimi i qeverisë për miratimin e ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse,në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës, Qarku Shkodër, nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.) është publikuar në Fletoren Zyrtare.
Referuar vendimit, koha për ndërtimin dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 24 (njëzet e katër) muajve nga marrja e lejes së ndërtimit ndërsa vendndodhja e burimit gjenerues të energjisë është në digën e Qyrsaqit, HEC Vau i Dejës, qarku Shkodër.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucione të tjera të autorizuara prej saj, kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore, gjatë realizimit dhe vënies në punë, me synim që të verifikojë ecurinë e punimeve.
Në këtë kontratë, citon vendimi i qeverisë, përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve për realizimin e këtij projekti, penalitetet, në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera që lidhen me zbatimin e saj. Po ashtu përcaktohet që kompania të japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.
Në rast konvertimi në vlerë monetare, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH, sh.a.), duhet t’i derdhë tërësisht në buxhetin e shtetit dhe të përmbushë kërkesën sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.

























