Ilyas Yildir, i cili punon si teknik mjekësor në Qendrën e Shëndetit të Shpejtë 112, po hante në zyrën ku jepte trajnime për ndihmën e parë, kur një copë ushqimi i ngeli në fyt.

Pa mundur të marrë frymë, Yildir shtyu shpejt gjoksin mbi skajin e karriges dhe bëri manovrën Heimlich mbi vete.

Me këtë manovër ai arriti të nxjerrë ushqimin që i ngeli në fyt. Ngjarja u regjistrua nga kamera e sigurisë e zyrës.

Ilyas Yildir, që kreu manovrën Heimlich mbi vete, i tha Agjencisë Anadolu se gjatë ngrënies në zyrë papritmas i kishte ngecur një copë ushqimi në fyt dhe nuk mund të merrte frymë.

Ai tregoi se në atë moment nuk kishte askënd pranë. “Si instruktor ndihme e parë dhe teknik mjekësor i urgjencës e dija çfarë duhej të bëja. Bëra manovrën Heimlich mbi vete. Kjo ngjarje të shërbejë si shembull për njerëzit se si mund të veprojnë vetëm, në shtëpi, për t’u shpëtuar vetë”, tha ai.

Manovra e Heimlich-ut (ose shtytja abdominale) është një teknikë e ndihmës së shpejtë që shpëton jetën dhe përdoret në rastet e bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes të shkaktuara nga një trup i huaj. Kryhet për të parandaluar mbytjen nëse rrugët e frymëmarrjes (fyti, trakea) e një personi bllokohen nga një copë ushqimi ose një objekt tjetër.

E tëra çfarë ju nevojitet është një karrige dhe mund ta kryeni vetë manovrën Heimlich për të pastruar një rrugë ajrore të bllokuar (nga ushqimi ose një objekt i vogël).

Teknika e saktë: mbështetuni në një karrige dhe ushtroni presion me krahët. Sipas studiuesve në Spitalin Mbretëror Brompton në Londër, teknika,  është efektive dhe e sigurt.

E emëruar sipas shpikësit të saj, kirurgut torakal Henry Heimlich, kjo manovër përfshin kompresimin e diafragmës së një personi të vetëdijshëm, duke e shtyrë atë lart, duke shkaktuar kështu një kollë (e shkaktuar artificialisht nga rritja e dhunshme e presionit intratorakal) dhe nxjerrjen pasuese të trupit të huaj.

Kjo arrihet duke alternuar pesë goditje në shpinë midis shpatullave me pëllëmbën e dorës, konkretisht pjesën në bazën e gishtit të madh, të quajtur eminenca tenar, me pesë shtytje në diafragmë.

Kjo teknikë mund të kryhet si tek të rriturit ashtu edhe tek fëmijët mbi një vjeç.

Ju gjithashtu mund ta kryeni këtë manovër edhe tek vetja duke vendosur njërën dorë në grusht kundër barkut tuaj ndërsa e kapni atë me tjetrën dhe e shtyni lart me një seri shtytjesh derisa rrugët e frymëmarrjes të lirohen.

Si alternativë, mund ta mbështesni pjesën e sipërme të barkut në një objekt të fiksuar (siç është shpina e një divani ose karrigeje) dhe ta shtyni poshtë disa herë me trupin tuaj derisa kompresimet të lehtësojnë nxjerrjen e pengesës.   /os/