Chelsea është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes për transferimin e Jamie Gittens nga Borussia Dortmund për një shumë prej 55.5 milionë paundësh.

Të dy klubet, të cilët ndodhen aktualisht në SHBA për turneun e Kupës së Botës për Klube, kanë qenë në negociata intensive gjatë 48 orëve të fundit dhe pritet të arrijnë marrëveshjen përfundimtare brenda javës që vjen.

Gittens, 20 vjeç, është i gatshëm të mbyllë aventurën e tij katërvjeçare në Gjermani dhe të rikthehet te Chelsea – klubi ku dikur ishte pjesë e sistemit të të rinjve. Blutë kishin shpresuar ta siguronin lojtarin për një shumë prej 50 milionë paundësh me bonuse të përfshira, por negociatat kanë çuar çmimin në 55.5 milionë paund

Megjithëse ka vuajtur nga disa probleme shëndetësore kohët e fundit dhe nuk ka luajtur shumë në turneun në SHBA, Chelsea mbetet e vendosur ta rikthejë yllin e Anglisë U21 në Londër.

Klubi londinez ka shpenzuar tashmë mbi 1.4 miliardë paund në ndërtimin e skuadrës aktuale, por drejtuesit e merkatos janë të vendosur të shtojnë edhe Gittens në listën e investimeve të mëdha. Mediat britanike raportojnë se Chelsea i ka ofruar një kontratë shtatëvjeçare, në përpjekje për ta bindur lojtarin, pas refuzimit të një oferte më të ulët prej 42 milionë paundësh më herët këtë muaj.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, Gittens mund të jetë goditja e radhës e merkatos së verës për Blutë.

Top Channel