ATSH/ INSTAT bën të ditur se, kostot e ndërtimit u rritën me 5% në 3-mujorin e parë të vitit 2022.

Sipas INSTAT,  ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e parë 2022 është 5,0%, një vit më parë ky ndryshim ishte 0,6%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Shpenzime energjie” me 11,7 %, pasuar nga grupet, “Shpenzime materiale” me 6,0%, “Shpenzime makinerie” me 3,8%, “Kosto të tjera” me 3,5%, “Shpenzime për paga” me 2,5% dhe “Shpenzime transporti” me 2,1%.

Brenda grupit “Shpenzime materiale”, indekset e nëngrupit “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi”, shënuan rritjen më të lartë me 6,8%, pasuar nga grupi “Materiale ndërtimi” me 6,5% dhe “Materiale elektrike dhe komunikimi” me 3,5%.

Kërkesa e lartë pas pandemisë dhe situata e krijuar nga lufta në Ukrainë, rritën ndjeshëm  çmimet e lëndëve të para. Këto efekte janë transferuar te kostot e prodhimit dhe në çmimet finale, në ndërtim. /j.p/