/ATSH/ Ambasada shqiptare në Bullgari informoi sot të gjithë qytetarët shqiptarë se autoritetet bullgare kanë vendosur ndalimin e përkohshëm të hyrjes në Bullgari deri më 30 shtator 2020 të të gjithë shtetasve, pavarësisht nga shtetësia e tyre në të gjitha pikat e kalimit kufitar të transportit tokësor, ajror, detar dhe hekurudhor.
Sipas ambasadës bullgare, “hyrja është e lejuar për qëllime humanitare, studimore, punësimi sezonal, turizmi, ekonomike dhe investimi”.
“Shtetasit shqiptarë mund të hyjnë në Bullgari duke paraqitur përgjigjen negative të një testi PCR të kryer 72 orët e fundit. Shtetasit shqiptarë, familjarë të shtetasve bullgarë dhe kur janë të pajisur me lejeqëndrimi mund të hyjnë në Bullgari edhe pa përgjigjen negative të testit PCR, por do t’i nënshtrohen karantinës së detyrueshme 14-ditore”, thuhet në njoftimin e ambasadës bullgare.
Sipas njoftimit, mund të hyjnë në territorin e Bullgarisë, pavarësisht kufizimit, shtetasit shqiptarë që kanë leje qëndrimi afatgjatë ose të përhershme ose vizë D për në Bullgari, Britani të Madhe, Irlandë të Veriut, të një prej vendeve të BE-së ose zonës Shengen duke përfshirë Andorrën, San Marinon, Vatikanin dhe Monakon.
Po ashtu, lejohen profesionistët dhe studiuesit mjekësorë si dhe punonjësit socialë, kur qëllimi i udhëtimit lidhet me përmbushjen e detyrës si dhe personeli i transportit të produkteve mjekësore.
Lejohet personeli i transportit i angazhuar në sektorin e transportit, transportit ndërkombëtar të udhëtarëve, ekuipazhi i avionëve të transportit të mallrave, ngarkesave dhe pasagjerëve si dhe ekuipazhi i anijeve dhe personat e angazhuar me mirëmbajtjen e anijeve.
Bullgaria lejon po ashtu edhe zyrtarët e huaj (krerët e shteteve, ministrat, anëtarët e qeverive etj.), anëtarët e delegacioneve të tyre, diplomatët, personeli tekniko-administrativ dhe familjarët e zyrtarëve të mësipërm; personat, që udhëtojnë për motive humanitare dhe familjarët e tyre duke përfshirë bashkëshortin/en, bashkëjetuesin/sen dhe të afërmit deri në shkallë të dytë në linjë të drejtë; përfaqësuesit tregtar dhe investitorët ekonomikë si dhe familjarët e tyre gjatë udhëtimeve për arsye pune ose studim tregu; punëtorët sezonalë të punësuar në bujqësi ose turizëm; punonjësit e pikave kufitare.
Të tjera kategori që lejohen janë edhe personat, që udhëtojnë për arsye studimi, për mbylljen e vitit akademik 2019-2020 si dhe për regjistrimin për vitin akademik 2020-2021, kur nuk ofrohet mundësia e shërbimit në distancë; sportistët dhe organizatorët, kur udhëtojnë për pjesëmarrje në konkurse dhe janë të pajisur me dokumentacionin përkatës për këtë qëllim nga Ministria e Sportit si dhe sportistët dhe trajnerët të pajisur me vizë D, kur udhëtojnë për qëndrime afatshkurtra që lidhet me merkaton sportive; personat, që janë në procedurë për marrjen e shtetësisë bullgare, kur janë të pajisur me dokumentacionin shoqërues për këtë qëllim; pjesëmarrësit e aktiviteteve kulturore të pajisur me një dokument shoqërues nga Ministria e Kulturës, ku përcaktohen detaje rreth aktivitetit.
Kalimi tranzit në territorin e Bullgarisë u lejohet të gjithë shtetasve, që mund të hyjnë në Bullgari vetëm kur garantohet largimi i menjëhershëm nga territori bullgar.
Ndërkohë nuk i nënshtrohen karantinës së detyrueshme shtetasit, që vijnë nga Shqipëria, kur paraqesin përgjigjen negative të testit PCR të 72 orëve të fundit;.
Karantinës nuk i nënshtrohen as drejtuesit e autobuzëve të transportit ndërkombëtar të udhëtarëve; drejtuesit e kamionëve, që merren me transportin e mallrave; personat, që udhëtojnë në kuadër të shkëmbimit të eksperiencave dhe pjesëmarrjes në trajnime afatshkurtra; përfaqësuesit mjekësorë, personeli i transportit të produkteve mjekësore, zyrtarët e lartë, diplomatët, punonjësit tekniko-administrativ si dhe përfaqësuesit tregtar dhe ekonomik./m.m/j.p/