TSH-AFP/ – Ekonomia franceze ka humbur gjashtë pikë nga rritja ekonomike në dy muaj kufizim, sipas guvernatorit të Bankës së Francës, që vlerëson se shteti do të duhet të investojë në disa kompani për të shmangur falimentimin.

“Dy muaj kufizim i kanë kushtuar rreth gjashtë pikë Prodhimit të Brendshëm Bruto të ekonomisë franceze , theksoi sot guvernatori i Bankës së Francës, François Villeroy de Galhau.

“Këto dy muaj na kanë kushtuar mbi rritjen ekonomike vjetore rreth 6% humbje. Humbjet për të gjithë vitin do të jenë më të larta, se ato gjatë kufizimit, pasi aktiviteti mbetet i pjesshëm”, deklaroi guvernatori për “France Inter”.

Pas rreth dy muajsh kufizim për të luftuar kundër COVID-19, Franca filloi dje një rikthim gradual në normalitet, edhe pse kafenetë dhe restorantet vazhdojnë të jenë të mbyllura të paktën deri në fund të muajit.

Komisioni Europian parashikon një rënie prej 8,2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto francez në 2020.

Sipas Bankës së Francës, aktiviteti ekonomik i vendit është ulur me rreth 27% në muajin prill. Ulje më e madhe është regjistruar 15 ditëshin e dytë të muajit mars me -32%.

Përsa i përket perspektivave për muajin maj dhe fillimin e daljes nga kufizimi, krerët e kompanive, të pyetur nga Banka e Francës presin në shumicën e sektorëve një rifillim të pjesshëm të aktivitetit të tyre./ /ec/