ATSH-DPA/- Kryeministri kinez Li Keqiang deklaroi sot se vendi ka bërë progres në betejën kundër koronavirusit dhe aktualisht është në një pozicion të mirë.
Përhapjes lokale të virusit iu dha fund “në mënyrë efektive dhe shpejt” vitin e kaluar, sipas një raporti të paraqitur nga Li në Pekin.
Li tha se rreth 85% e popullsisë kineze tashmë është vaksinuar kundër virusit.
“Përmes këtyre përpjekjeve, ne kemi siguruar shëndetin dhe sigurinë e njerëzve dhe kemi ruajtur rendin normal në punë dhe jetë”, shtoi Li.
Në raportin e saj, qeveria nuk tregoi ndonjë shmangie nga masat e saj të rrepta kundër Covid-19.
Qeveria kineze vazhdon të ndjekë një strategji strikte për zero-Covid.
Koronavirusi në vend është nën kontroll, falë masave të izolimit, testimeve masive, gjurmimit të kontakteve, karantinës dhe kufizimeve të rrepta të hyrjes.
Li tha se masat kundër Covid-19, të cilat ai i quajti “efektive”, do të vazhdojnë.
“Për të parandaluar rastet e importuara dhe përhapjen e virusit brenda vendit, duhet të përpunojmë vazhdimisht masat për frenimin e pandemisë”, tha kryeministri Li. //a.i/

























