ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka informuar se brenda 24 orëve të fundit janë identifikuar 133 raste pozitive me COVID-19.
Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik tha se “situata epidemiologjike në vend në javën e fundit paraqitet e qëndrueshme. Pozitiviteti është i njëjtë me një javë më parë. Mesatarja javore e rasteve të reja për javën e 35-të është 153 raste/javë. Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 820 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 133 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 68 raste në Tiranë, 10 në Elbasan, 9 në Durrës, 7 në Lezhë, 6 në Berat, nga 5 raste në Krujë, Fier, 4 në Korçë, nga 3 raste në Kukës, Gjirokastër, nga 2 raste në Kurbin, Kavajë, Vlorë, Tropojë, Kuçovë, nga 1 rast në Shkodër, Devoll, Pogradec.
Sipas saj, 75 qytetarë janë shëruar në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 5214, që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në Spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 180 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 17 në terapi intensive nga të cilët vetëm 6 pacientë janë të intubuar. Ju informojmë se në dy spitalet COVID janë gjithashtu duke marrë shërbim të specializuar 45 qytetarë të cilët kanë qenë pozitivë me COVID-19 dhe aktualisht janë negativizuar, por po vijojnë të marrin trajtim spitalor për pasojat e sëmundjes.