Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus u kërkoi sot vendeve anëtare një përgjigje racionale dhe proporcionale ndaj Omicron, duke bërë thirrje për qetësi përballë variantit të ri të COVID-19, që po shkakton panik prej disa ditësh.

“Përgjigja globale duhet të jetë e qetë, e koordinuar dhe koherente”, argumentoi Ghebreyesus gjatë një informimi për vendet anëtare në lidhje me Omicron, në selinë e OBSH-së, në Gjenevë.

“Unë e kuptoj plotësisht shqetësimin e të gjitha vendeve për të mbrojtur qytetarët e tyre kundër një varianti që ne ende nuk e kuptojmë plotësisht, por jam po aq i shqetësuar që disa shtete anëtare po paraqesin masa të përgjithshme dhe brutale që as nuk bazohen në prova, që nuk janë as efektive në vetvete dhe që vetëm sa do të përkeqësojnë pabarazitë”, shpjegoi ai.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të marrin masa racionale në përpjesëtim me rrezikun, në përputhje me Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit, që është instrumenti ligjor standard për OBSH-në dhe vendet nënshkruese të saj”, vazhdoi kreu i OBSH-së.

Ghebreyesus theksoi se organizata “po e merr shumë seriozisht këtë zhvillim” dhe u bëri thirrje vendeve anëtare të bëjnë të njëjtën gjë.