ATSH-AFP/ – Rusia tejkaloi për herë të parë sot nivelin simbolik të 100 000 infeksioneve ditore me Covid-19, një rekord që ilustron fuqinë e valës së re për shkak të variantit shumë ngjitës Omicron.

Sipas të dhënave të qeverisë ruse, 113 122 raste të reja janë regjistruar në 24 orët e fundit dhe 668 persona kanë vdekur.

Moska mbetet fokusi kryesor i epidemisë në Rusi me 26 488 infeksione të reja dhe 76 vdekje përgjatë 24 orëve të fundit.

Ky është një rekord për infeksione të reja për të nëntën ditë radhazi në vendin më të goditur në Evropë nga koronavirusi.

Pandemia ka përkeqësuar seriozisht krizën demografike që po përjeton Rusia prej 30 vjetësh, e cila humbi më shumë se një milion banorë në vitin 2020.

Nëse autoritetet kanë numëruar 330 111 vdekje nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, agjencia e statistikave Rosstat, e cila ka një përkufizim më të gjerë, ka numëruar më shumë se 660 000, pothuajse dyfishi i numrit zyrtar./ a.jor.