17 vjeçari, Dalvi Elezi është shpallur kampion në sportin e notit për të rinj dhe të rritur në garat e International Swimming Meeting “Teuta Cup 2021”. Garat e këtij aktiviteti ndërkombëtar u mbajtën në qytetin e Durrësit në datat 18-20 qershor, nga ku morën pjesë notarë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Elezi zhvilloi gara mbresëlënëse në 50 metra stil i lirë dhe ato 100 metra stil i lirë, me 17 vjeçarin që tregoi cilësi të lartë në gara, edhe pse në një moshë të re, nuk pati diferenca me të rriturit. Bëhet fjalë për të ardhmen e këtij sporti në vendin tonë, pasi rezultatet e Elezit nuk janë rastësore, sepse edhe në garatbe kaluara ka pasur gjithnjë këtë paraqitje dinjitoze. Karrierën e ka nisur që i vogël dhe shpreson që në të ardhmen të shpallet kampion edhe në gara dhe kompeticione të tjera më të të rëndësishme. Disa orë në ditë talenti me një fizik të admirueshëm ia kushton sportit të notit, me shpresën se do të përfaqësojë denjësisht Shqipërinë në këtë sport dhe të sjellë të tjera medalje për vendin tonë. Sakaq, sa i përket garave të këtyre ditëve, vendi i dytë i takoi Frenki Voglit të ekipit të Stela Tiran la dhe vendi i tretë Olti Kondirollit të Kosovës. Me mbështetjet e presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, Agim Çiraku, ky sport do të zërë një vend të rëndësishëm në sportin shqiptar, kjo edhe në sajë të talenteve që po rriten.