Ceremonia, e cila festohej një javë mes shumë riteve pagane dhe fetare, po shuhet dalëngadalë . Goditja e dhëndrit, këngët, vallet, si ishte panorama dikur e bashkimit të çiftit?
Elbasani renditet ndër qytetet me një traditë të pasur qytetare për ceremonitë e ndryshme sidomos për dasmën që konsiderohet edhe momenti më i rëndësishëm në jetën e njeriut. Për vetë specifikat e qytetit në periudhën turke, lagja “Kala” do të ishte baza e mbështetjes për traditën në organizmin e ceremonive të ndryshme si lindja, vënia e emrit, bërja synet, fejesa, martesa dhe ritet në stadin e fundit të jetës pra vdekja. Lagja Kala kishte dy ndarje të mëdha: Familjet ortodokse dhe familjet myslimane. Kryesisht ato ortodokse vendoseshin mbi rrugën e vjetër “Egnatia”, ndërsa ato myslimane në pjesë poshtë kësaj rruge sot rruga “Konstandin Kristoforidhi”. Megjithëse këto familje kishin marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën për shkak të feve të ndryshme kishin edhe ndryshim të zakoneve edhe pse baza ishte thuajse e njëjtë.
Shumë nga ritet gjatë ceremonisë së dasmës kushtëzohen nga feja, por ka edhe rite që kanë një prejardhje thuajse pagane. Ceremonitë krahasuar në aspektin fetar kanë shumë të përbashkëta, por sigurisht kanë edhe ndryshime, të cilat do t’i trajtojmë gjerësisht gjatë analizës. Me ndihmën e një prej folkloristëve të fillim shekullit të kaluar Aleks Vini, i cili ka transkriptuar besnikërisht dy ceremonitë do të mundohemi të sjellim ritet dhe sidomos shprehjet gojore dhe këngët që shoqëronin dasmën. Nëpërmjet tyre vijnë edhe dy figurat qendrore dhe një analizë e detajuar e tyre me qëllim transmetimin e kulturës, mendësisë dhe zakoneve që sa vjen e zhduken. Në kohët e sotme shumë nga ritet e përshkruara nga Vini në vëllimin e tij, nuk bëhen më dhe janë të paktë ata që mund të dëshmojnë një dasmë tradicionale me ritet e plota të disa shekujve më parë.
Në vitet ‘30-të kur Leksi Vini fillon grumbullimin e materialeve folklorike, punë të cilën e vazhdoi gjatë gjithë jetës dhe la vëllime të mëdha të shkruara që janë botuar vetëm vitet e fundit. Në përshkrimin e tij dhe sjelljen sidomos të vargjeve që shoqërojnë ritet krijojmë edhe një panoramë të dasmës së atyre viteve.
Dasma elbasanase
Dasma zgjaste gati shtatë ditë, por duke filluar nga dita e enjte ceremonia merr kuptimin e plotë bashkë me ritet shoqëruese. “Kënga e orizit” nis ciklin e këngëve të dasmës, duke filluar ditën e enjte në familjet ortodokse. Një ditë para janë lajmëruar njerëzit. Gratë që do të pastrojnë orizin janë gra të reja. Halla, motra e babait të djalit zë kryevendin dhe fillon këngën e parë.
Në ceremoninë e martesës ortodokse dasma e djalit zgjat një javë, ndërsa e vajzës fillon e mbaron po ditën e diel. Sapo zbardh dita motrat e dhëndrit shkojnë në tri çezme e mbushin ujë. Nëse hasin njerëz të njohur ato nuk u flasin me gojë. Me ujin e mbushur ato spërkasin shtëpinë për fat sjellje. Dhëndri ditën e dasmës nuk ngarkohet me asgjë. Edhe pritjen e miqve e bën i ati.
Një rit që bëhej ditën e diel ka lidhje me këndimin e rrobave të dhëndrit. Veshjet vihen në një stol në mes të dhomës se më e vjetra e fisit fillon këngën duke i ngritur veshjet një e nga një. Pasi këndohen veshjet një e nga një i vjen radha këngës së dytë që i këndohet dhëndrit.
Goditja e dhëndrit, rit pagan
Hyrja e dhëndrit në dhomën e nuses, ka simbolikën e goditjes me dorë në shpinën e tij. Dhëndri bën sikur nuk do të hyjë në dhomën ku është nusja. Është momenti më prekës, fundja kurorëzimi i gjithë dasmës, pika kulmore e saj. Rreshtohen të afërmit për të përcjellë dhëndrin për në dhomën e tij dhe i fundit përgatitet për ta goditur dhe e godet në shpinë. Goditja e dhëndrit është shumë e hershme. Për këtë motiv, profesor Eqerem Çabej teksa e gjen edhe në Gjirokastër, shprehet: “Ky zakon na kujton një tepricë (mbetje tradite – F.Gj.) të natës Polter, të popujve hindogermanë. (Në “Yllyria”, 18 kallnuer 1936). Në Elbasan ky rit shfaqet me goditjet e disa prej shokëve të dhëndrit në shpinë të shoqëruar me shprehjen: “Hyra, Dhëndër” dhe para hyrjes në dhomë dhëndri merr “bekimin” e hoxhës. I njëjti rit haset edhe tek dasma ortodokse, por ndryshe nga dasma e parë, këtë herë dhëndri “goditet” kur del nga dhoma e nuses nga shokët dhe vrapon drejt dhomës së pritjes ku janë krushqit.
Të përbashkëtat dhe dallimet
Dy ceremonitë e dasmës në Elbasan
Tabani i njëjtë i dasmës shqiptare ka ndikuar edhe në dy ceremonitë që zhvilloheshin në Elbasan nën ndikimin e pushtimit turk. Familjet ortodokse ruanin një pjesë të madhe të riteve dhe sigurisht ceremonia në kishë, ndërsa dasma myslimane kishte shumë pak ndryshime. Figura e nuses në dasmën myslimane është më pak e theksuar. Ka me pak rite për nusen dhe më shumë për dhëndrin. Sigurisht dasma për nusen fillonte dhe mbaronte sapo krushqit merrnin nusen. Ndërkohë që elementët fetarë mbizotëronin në marrjen e nuses në ceremoninë ortodokse ku kumtëri dhe kumtëra ishin pjesë e rëndësishme, në dasmën myslimane ishin “marrëset” dhe ishin kryesisht gra. Këngët që këndoheshin në të dy dasmat ishin “Bojë e këna”, rit që hasej në të dy ceremonitë pavarësish fesë. Në disa rite e këngë dhëndri dhe nusja ndryshojnë rolet. Kështu “fshehja” e vajzës në dasmën ortodokse para martesës, ndërrohet me djalin para martesës në dasmën myslimane. Por ritet gjithashtu ndryshojnë dy personazhet kryesore të dasmës edhe gjatë ritit të banjës që shoqërohej me këngë. Kështu Banja apo “hamami” ndiqej si rit para martese nga dhëndri në dasmën myslimane, ndërsa në atë ortodokse ishte nusja ajo që bashkë me gratë e martuara do të shkonte në banjën që shoqërohej me rite dhe me këngë duke përdorur banjat e qytetit(hamamet). Ndërkohë e shtuna në dasmën ortodokse ishte festa me shoqërinë e dhëndrit e shoqëruar kryesisht nga këngët e beqarisë, për dhëndrin në fenë myslimane, kjo festë bëhej një ditë pas dasmës. Veshjet këndohen vetëm në dasmën ortodokse, ndërsa nuk ekziston si rit në fenë islame. Në dasmën ortodokse, dasma e djalit zgjat një javë, ndërsa e vajzës fillon e mbaron po ditën e diel.
Vazhdimësia, Ritet që ende respektohen dhe ritet e zhdukura
Shumë nga ritet që në vitet 1900 ishin baza e një dasme sot thuajse janë harruar. Kushtet e ndryshme, teknologjia, shpërndarja e fiseve, por edhe zhvillimi ekonomik kanë bërë që dasmat tradicionale thuajse të zhduken. Sigurisht disa nga ritet që shoqëronin nusen dhe dhëndrin vazhdojnë të funksionojnë dhe shprehjet shoqëruese, por nuk janë më këngët dhe sidomos ritet para dasmës, të cilat janë zhdukur. Kështu nuk këndohet më kënga e orizit, nuk hasen më këngët për “bojë e këna” tashmë janë zëvendësuar nga parukieret, ndërsa kënaja nuk përdoret më. Individualizmi që ka përfshirë botën moderne ka mënjanuar një pjesë të këtyre riteve. Vazhdojnë të ruhen ritet fetare sidomos riti i martesës në kishë, ndërsa nuk janë më larja në banjat publike dhe mbushja e ujit. Ato që kanë mbetur vetëm në kujtesën e më të vjetërve dhe që sot mund të gjenden në libra janë këngët. Në dasma muzika popullore është kultivuar, këngët e vjetra janë shumë të pakta dhe mundësia e ripërtëritjes së tyre nuk janë më dasmat, por festivalet e këngës dhe folkut. Mbledhësit e folklorit elbasanas duke filluar nga Kristoforidhi, Qemal Haxhihasani, Leksi Vini kanë grumbulluar gjithashtu edhe rite dasmash e këngë që këndoheshin në festën më të bukur të njeriut martesën. Shumë nga këto rite kanë prejardhje pagane, ka shumë rite fetare dhe gjithashtu krijime të vetë njerëzve që i përshtateshin situatave kohore. Kështu në shumë këngë kushtuar nuses, populli ka pasur dorë të lirë të krijojë këngët që nxjerrin në pah bukurinë, cilësitë më të mira, këshillat dhe zbatimin e rregullave që nusja e re duhet të zbatonte në familjen e re. Në shumë këngë vihen re elementë të territorit, si lulet, emrat, toponimet dhe veçori që tregojnë se këto këngë janë krijuar, pasuruar e ndryshuar pikërisht nga vetë komuniteti që i këndon. Në kohën e sotme vazhdon të ruhet riti, i ëmbëlsimit (mjaltit në derën e shtëpisë) ku vjehrra i uron mirëseardhjen nuses së re, ndërrimin e rrugëve nga krushqit, fshehja e parave në këpucën e nuses.
Unaza Blog