ATSH – I. Vata/ Me rastin e 76-vjetorit të krijimit të Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi  Shoqatën Kombëtare “Skënderbegasi” me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për merita dhe punën e veçantë në ruajtjen dhe zhvillimin e traditave të Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’.  Për kontributin e çmuar në fushën kërkimore shkencore nëpërmjet studimeve e botimeve të shumta profesionale”.

Presidenti Meta i akordoi gjithashtu zotit Petrit Murzaku , Dekoratën “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi si njëri nga themeluesit e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’, që kontribuoi për shumë vjet në trajnimin dhe përgatitjen e brezave me ushtarakë të zotë për nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ai ishte dhe ngelet sportisti më i kompletuar i të gjitha kohëve, shembull frymëzimi për brezat”.

Po ashtu, Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”:

Thoma Kromidha “Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij si një ndër kuadrot e kompletuara ushtarake, duke spikatur me profesionalizmin e tij në të gjitha strukturat e mbrojtjes, si dhe në mbajtjen gjallë të traditave patriotike e atdhetare të Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’”;

Kristaq Çiton (pas vdekjes) “Si njëri nga oficerët më të suksesshëm e të gjithanshëm të Flotës Detare. I gatshëm në përgjigje të çdo detyre e kalim vështirësie, duke  pohuar vlerat e vërteta të skënderbegasit”;

Qirjako Dhima “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë si një nga pilotët dhe specialistët e përkushtuar të Forcave Ajrore, që diti të drejtojë në fluturim e në tokë në interes të brezave për ruajtjen e zhvillimin e kësaj  arme të dashur dhe të vështirë”.

Ndērsa me Titullin “Mjeshtër i  Madh” u dekorua zoti Sherif Çiçiku:“Në shenjë vlerësimi të kontributit të tij për nxjerrjen dhe trajnimin e talenteve të reja. Me përkushtim e profesionalizëm dashuroi dhe lartësoi emrin e Shkollës së Mesme Ushtarake ‘Skënderbej’, duke furnizuar ekipet me mjeshtër dhe ngritur peshë entuziazmin e sportdashësve”.

Me Titullin “Naim Frashëri”, Kreu i Shtetit çmoi zotin Mëno Dedaj, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë si njëri nga ish-skënderbegasit më aktiv, që  shërbeu në radhët e Forcave të Armatosura brenda dhe jashtë vendit, duke i përfaqësuar ato me denjësi, profesionalizëm dhe pa u lodhur kurrë për Atdheun dhe shoqatën”, si dhe zotin Shpendi Topollaj, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për veprimtarinë si njëri nga ish-skënderbegasit e suksesshëm, duke spikatur veçanërisht në fushën e krijimtarisë letrare. I dënuar se lexonte veprat e  akademikut Rexhep Qosja”.

Me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” u vlerësua zonja Arta Raveli, me motivacionin: “Për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar ndaj punës dhe skënderbegasve në vite, duke u bërë kështu arkivuesja dhe ruajtësja e vlerave të dokumentuara, si dhe vetë historisë së Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”.