ATSH/ Ngritja e agroturizmeve po kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau sot në rrjetet sociale pamje nga kodrina piktoreske e Zadrimës, në fshatin Troshan të Lezhës, ku është ndërtuar një agroturizëm që është shndërruar në një pikë thelbësore të zhvillimit rural të zonës.
Që prej hapjes së tij në vitin 2014, ky agroturizëm është bërë një nga më të pëlqyerit në Shqipëri, falë shërbimit të veçantë që ofron, duke nisur nga akomodimi cilësor dhe kuzhina tradicionale e krahinës.
Denaj tha se, “veç prodhimeve nga ferma e tij, Fatmiri, themeluesi i këtij agroturizmi, ka ndërtuar një rrjet bashkëveprimi me bujq e blegtorë të Zadrimës, duke sjellë në tryezat e vizitorëve çdo shije autentike të tokës vendase, nga duart e njerëzve të përkushtuar të kësaj treve”.
Ajo e cilësoi këtë investim, një shembull frymëzues se si bujqësia, tradita shqiptare dhe turizmi mund të ndërthuren në një model që jo vetëm ruan trashëgiminë, por krijon edhe mundësi të reja ekonomike për komunitetin lokal.
Ministrja shprehu mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e agrotuzmave dhe bujqësisë në tërësi.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%, ndërsa për zonat malore mbështetja është edhe më e madhe, falë Paketës së Maleve”, tha Denaj.
Fatmiri tregon se në fillim e nisi aktivitetin e tij si restorant, por më vonë, falë zgjerimit të investimeve, është certifikuar edhe si agroturizëm.
“Ne kemi ngritur edhe fermën tonë blegtorale me të imta, kantinën për prodhimin e verës, fermën me pula dhe sigurojmë kështu prodhimin e ushqimeve bazë nga ferma jonë. Ndërkohë që bashkëpunojmë me fermerët e zonës për furnizimin me prodhimet e ndryshme bujqësore. Këtu çdo ushqim është autokton zadrimor me shije shqiptare”, tha ai.





























