Albano është një mjek veteriner i ri, pjesë e trupës së Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, (AKVMB), i cili çdo ditë shërben me përkushtim në njësinë administrative Poshnje, Berat.
Ai mbulon 7 fshatra me shërbime si matrikullimi, gjurmimi dhe vaksinimi, lëshimi i certifikatave të lëvizshmërisë dhe monitorimi i fermave.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau historinë e tij në rrjete sociale teksa tha se, MBZHR i mbështet të rinjtë të integrohen në tregun e punës në sektorin e bujqësisë.
“Dyert e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural janë të hapura për të gjithë profesionistët që dëshirojnë të na bashkohen për të dhënë kontributin e tyre në sektor”, tha Denaj.
Vetë Albani tregon se ka mbaruar studimet në degën e mjekësisë veterinare në vitin 2017 dhe i është bashkuar trupës së AKVMB-së tre vitet e fundit dhe mbulon gati 1500 ferma blegtorale në 7 fshatra në Berat.
“Puna ime e përditshme është kontrolli shëndetësor i kafshëve, matrikullimi i tyre, gjurmueshmërinë e sëmundjeve, lëshojmë certifikatat e transportit në tregje për të siguruar një ushqim të sigurt për konsumatorët”, tha ai. /j.p/atsh