Gjatë kësaj ceremonie ministrja Denaj, vlerësoi suksesin e vetë profesionistëve të fushës, ndihmësmjeshtrave, por edhe mjeshtrave që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi të ndërtimit të karrierës së tyre, që sipas saj , janë dëshmi e ecurisë pozitive të tregut të punës, që tanimë po orientohet drejt zanateve dhe biznesit që zhvillon profesionistë që sjellë vlerë të shtuar në ekonomi.
Duke theksuar vëmendjen e shtuar drejt gruas në zejtari, e cila trashëgon dhe zhvillon më së miri traditën, që jep një ndihmë edhe në rritjen e ekonomisë familjare, Ministrja Denaj, u shpreh se sfidë vijon të mbetet zhvillimi i tregut të punës dhe përshtatja e kurseve të formimit profesional me kërkesat e tij, sipas standardeve ndërkombëtare dhe sipas sistemit dual.
Gjatë viteve të fundit mbështetja buxhetore ka ardhur në rritje përmes buxhetimit në drejtim të tregut të punës, nëpërmjet arsimit dhe formimit profesional.
“Ne kemi sektorë shumë të rëndësishëm të ekonomisë që po performojnë pavarësisht pandemisë dhe situatës së vështirë që kaluam. Rigjallërimi i ekonomisë është sot një fakt. Tregu i punës është kthyer, madje ka kaluar dhe numrin e të punësuarve në vitin e kaluar. Në qershor të vitit të kaluar ne patëm një ulje në tregun e punës me gati 677.000 të punësuar sepse sigurisht pas mbylljes ekonomike pati një tkurrje dhe sot jemi në 679.000 të punësuar. Punësimi do të duhet gjithnjë të adresohet për të rritur më tej vlerat tuaja. Nuk dua të lë pas edhe inovacionin pasi edhe ai ka një vlerë shumë të rëndësishme dhe vëmendja e qeverisë shqiptare drejt inovacionit është akoma më shumë e fokusuar në programin ekonomik në mandatin e tretë qeverisës”, u shpreh Denaj.
Në ceremoninë e organizuar nga Dhoma Kombëtare e Zejeve u shpërndanë 60 certifikata për Ndihmësmjeshtra në gjithë vendin.


























