ATSH/ Zeqir Beci në Pezë të Madhe (Tiranë) prej 18 vitesh punon me përkushtim në bujqësi, duke kultivuar në një sipërfaqe prej 5,4 hektarësh kultura foragjere, pemë frutore, ullinj dhe vreshta.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale historinë e tij, teksa vuri në dukje se, përmes mekanizimit ai ka rritur efikasitetin e prodhimit.
Denaj tha se, “me mbështetjen nga Skema Kombëtare e Investimeve pranë AZHBR, ka përfituar traktor dhe pajisje ndihmëse bujqësore, duke sjellë një ndryshim të dukshëm në ritmin e punës në fermë”.
“Mekanizimi ka rritur efikasitetin, ka kursyer kohë dhe ka bërë proceset shumë më të lehta”, u shpreh ministrja.
Denaj bëri të ditur adresimin e mbështetjes në rritje të qeverisë, për rritjen e aksesit në financim të fermerëve dhe agrobiznesit në nxitjen e investimeve në teknologji dhe mekanizim që zhvillojnë sektorin dhe të ardhurat prej tij.
“Përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, me 50% grant dhe mbështetjes nga Kredia e Butë të kombinuar me Garancinë Sovrane, çdo fermer mund të përfitojë financim me normë interesi vetëm 2% dhe mbulim kolateral deri në 70%”, tha ministrja Denaj.
Zeqiri tregon se aplikoi shumë lehtë në Skemën Kombëtare të Investimeve dhe u shpall përfitues për blerjen e një traktori dhe agregateve bujqësore me financim grant.
“Përdorimi i mekanikës më ka ndihmuar të rrisë prodhimin dhe të efikasitetin në punë. Përveç 14 hektarëve tokë që i kam në pronësinë time, kam marrë edhe 40 ha me qira, të cilat i kam të kultivuara me kulturat foragjere, pemë frutore, ullinj dhe vreshta”, tha ai, ndërsa u shpreh se me traktorin e ri, ka kursyer kohë dhe ka shpejtuar proceset e punës.
/e.xh//a.f//r.e/



























