Derby d’Italia solli jo vetëm emocione të forta, por edhe një histori familjare në qendër të vëmendjes – atë të vëllezërve Thuram, Marcus dhe Khephren, të vendosur në krahë të kundërta të një sfide klasike mes Interit dhe Juventusit.

Zgjedhja e momentit më domethënës nga kjo përballje është thuajse e pamundur. Disa do të zgjedhin buzëqeshjen e Khephren, i cili me Juventusin doli fitues në fund, ndërsa të tjerë ndoshta do të ndalen tek Marcus Thuram, i cili, në një moment kritik, duket se i buzëqeshi fshehurazi vëllait të tij.

Gjyqtari Colombo ishte duke shqyrtuar me VAR-in nëse kishte ndonjë faull në aksionin që çoi te goli vendimtar i Adzic, dhe në atë çast, kamera kapi një moment delikat: Marcus mbulon gojën me fanellë, i afrohet Khephren-it dhe shkëmbejnë një bisedë të shpejtë dhe të fshehtë, e cila përfundon me një ngërdheshje që nuk i shpëtoi syrit të kamerave

Ky veprim, i interpretuar nga disa si një gjest sportiv vëllazëror, u prit me irritim nga tifozët e Interit, të cilët tashmë kishin “gëlltitur” faktin që Marcus nuk festoi golin e Interit për 3-2, ndoshta për shkak të lidhjes së fortë familjare me babain e tij, Lilian Thuram – një legjendë e Juventusit. Por historia nuk përfundon këtu.

Një tjetër episod interesant u regjistrua gjatë një goditjeje këndi të Koopmeiners, kur të dy vëllezërit përballen në zonën e rreptësisë, nën sytë e portierit Sommer dhe kamerave të gjyqtarit që tani regjistrojnë çdo lëvizje.

Marcus shënon Khephren-in, ndodh një kontakt fizik mes tyre, dhe arbitri afrohet. Kamera e trupit të gjyqtarit regjistron gjithçka në detaje – një grindje tipike mes kundërshtarësh, por që këtë herë kishte një dimension familjar.

Një derbi brenda derbit. Një sfidë që përtej rëndësisë sportive, la pas imazhe ikonike dhe diskutime të zjarrta, veçanërisht për shkallën e profesionalizmit kur përballen vëllezërit në nivelet më të larta të futbollit europian.

Top Channel