Nga Miranda Sadiku

Gati 111 vjet më parë, kur Shqipëria ende nuk kishte fituar Pavarësinë, në kryeqendrën e Shqipërisë së Mesme në Elbasan u çel shkolla e mesme kombëtare ‘Normale’, e para e këtij lloji në gjuhën shqipe që përgatiste mësues për edukimin e brezave të ardhshëm.
Hapja e shkollës ‘Normale’ u vendos nga Kongresi i Elbasanit, i mbajtur në gusht të vitit 1909 dhe në 1 dhjetor të po atij viti ajo çeli dyert për mbi 100 nxënës nga gjithë trevat shqiptare.
Fillimet e ‘jetës’ së saj nuk ishin aq të lehta. Historiani elbasanas Kujtim Bevapi thotë  se “Normalja pati një jetë të trazuar. Disa herë u morën masa për mbylljen e ‘Normales’, ndërsa u tentua dy herë shpërngulja e saj nga Elbasani. Falë popullit arsimdashës të këtij rajoni një gjë e tillë nuk u  asnjëherë realitet”.
Pedagogët shqiptarë të angazhuar në këtë shkollë ditën të shfrytëzonin arritjet intelektuale të sferës së arsimit, pedagogjisë, psikologjisë dhe të shkencave të tjera të zbatuara. Përmenden këtu Luigj Gurakuqi, drejtori i parë i Normales, emrin e të cilit mban sot pasardhësja e saj, Shkolla e Mesme Pedagogjike në Elbasan, Aleksandër Xhuvani, Simon Shuteriqi, Petër Dodbiba, Dhmitër Paparisto, Hysen Blloshmi, etj.
Normalja’  pati jehonë brenda dhe jashtë vendit. Shtypi i kohës e cilësonte shkollë e lartë. Dhe në të vërtetë ‘Normalja’ mbetet institucioni i parë për shumë dekada që përgatiti mësues në mbarë hapësirën shqiptare, me ndikim të gjerë në shtresat e popullsisë.

     Pak histori për ‘Normalen’

Shkolla ‘Normale’, e njohur si rrezatimi i dritës së diturisë shqiptare, nisi të funksionojë në ndërtesën e Servet Bej Zylfit, në Elbasan dhe që në hapat e para u dallua për misionin historik kombëtar dhe arsimor.
Historiani elbasanas, Kujtim Bevapi, bazuar në dokumentacionin historik të shkollës tregon se “me fillimin e punës së këtij institucioni arsimor u caktuan rregullat e drejtimit, me drejtor e pleqësi. Parësia ishte e përbërë nga të 8 zgjedhur vendas”. Që në hapat e parë të saj u zgjidhën problemet administrative. Veprimtaria e shkollës nisi  me kërkesa të përcaktuara për numrin e klasave të nxënësve, pagat e mësuesve  etj.
Në datën 1 dhjetor të vitit 1909 në bankat e shkollës u ulën 111 nxënës dhe pas 2  muajsh ky numër arriti në 140 nxënës, 70 prej të cilëve ishin nga Kosova, dërguar nga Hasan Prishtina.
Aty mësohej matematikë, numëratore, gjeometri, algjebër, trigonometri, astronomi, mekanikë, fizikë, kimi, histori natyrore, anatomi, fiziologji, zoologji, botanikë, gjeologji, mineralogji, gjuhë shqipe, shkronjtore, sintaksë, literaturë, retorikë, poetikë, turqisht, frëngjisht, anglisht, greqisht, etj. 


Viti i parë mësimor u mbyll me sukses në vitin 1910 dhe nxënësit iu nënshtruan një sërë provimesh si në gjuhën shqipe, turqisht, matematikë, fizikë e kimi.  Ndër nxënësit e parë të shkollës ishin Emin Matraxhiu, Abedin Çaushi.
Fill, pas përfundimit të vitit të parë, tregon historiani Bevapi, ‘Normlja’ u mbyll, si pasojë e agresionit të Shevqet Turgut Pashës. Përpjekjet e patriotëve shqiptarë do ta rihapnin sërish këtë shkollë në shkurt të vitit 1912, në mjediset e shtëpisë së Qemal Karaosmanit. Shkolla kishte tre klasë dhe rreth 80 nxënës me një personel prej katër vetësh. Viti shkollor u mbyll aty nën drejtimin e drejtorit Aleksandër Xhuvani.
Më pas shkolla u mbyll sërish për shkak të periudhës së luftës dhe u rihap në 22 nëntor të vitit 1918. Bevapi nënvizon se “viti 1920 shënoi demonstratën e parë të qytetarëve kundër vendimit për transferimin e shkollës ‘Normale’ nga Elbasani në Shkodër’”. Me një vendim të qeverisë së asaj kohe përfundimisht ‘Normalja’ u caktua të funksionojë në Elbasan dhe shkolla u pajis dhe me një konvikt. 
Në vitin mësimor 1925-1926 shkolla punoi me programe të reja dhe në të u diplomuan 31 normalistë. Ministria e Arsimit në atë kohë përfshiu në programin e saj dhe gjuhët italisht dhe latinisht.  


Nga viti 1923, pranë shkollës ‘Normale’ funksionoi dhe shkolla Ushtrimore, drejtori i parë i së cilës ishte Sulejman Harri me mësues Fadil Gurmani, Ahmet Duhanxhiu, Karl Ljarja, Ibrahim Berrania, Shaban Arra, Gani Daiu, Skënder Sejdini, Sotir Paparisto e të tjerë. Pedagogë të tillë sollën përvojën e shkollave austriake, gjermane, zvicerane etj.
Në përvjetorin e 30-të të Pavarësisë Kombëtare, në vitin 1942, ‘Normalja’ mori emrin ‘Luigj Gurakuqi’. Aktualisht ajo quhet shkolla e mesme Pedagogjike dhe ndodhet në të njëjtën godinë ku ‘Normalja‘ u çel gati 101 vjet më parë.
Tashmë data e krijimit të ‘Normales’ së parë të Elbasanit përkujtohet çdo vit. Në vitin 
1991 veteranë të arsimit nga ky rajon krijuan dhe një shoqatë, të cilën e pagëzuan me emrin “Shoqata normalisti”. Prej vitit 1994, degët e kësaj  shoqate janë shtrirë në Peqin, Gramsh, Librazhd, Pogradec, Korçë, Fier, Vlorë, Kavajë,  Krujë, Tiranë e Berat. Synimi i këtij grupimi është evidentimi, studimi dhe paraqitja e figurave të shquara në lëmin arsimor, por edhe i studiuesve, shkencëtarëve, artistëve. Sot godina e kësaj shkolle ajo brenda mureve të Kishës Ortodokse është rë shkollë për fëmijët me aftësi të kufizuar, ndërsa ajo e quajtur “ Pedagogjike” është kthyer në gjimnaz.