TIRANË, 29 maj/ATSH/ “Dibra n’Fest” një nismë që synon promovimin e turizmit malor ka bërë bashkë prej 3 ditësh turistë vendas e të huaj të cilët po festojnë e argëtohen duke u njohur me kulturën, traditën, gastronominë dhe natyrën e Dibrës.
Dibra çeli sezonin turistik veror, ku përgjatë 3 ditëve janë parashikuar një sërë aktivitetesh kulturore-artistike, ekspozita të ndryshme, histori, dokumentarë, traditë, kulinari tipike dibrane, rafting etj.
Paraditen e sotme në kuadër të “Dibra n’Fest”, në Bjeshkët e Llapshnikut, mes një natyre mbresëlënëse, “Rest House Korabi” ka bërë bashkë turistë vendas e të huaj, guidat lokale, përfaqësues të bashkisë dhe organizatave, të cilët po festojnë e argëtohen me muzikë e valle tradicionale dibrane.
Aktivitetet sportive dhe artistike të shkollave do të vijojnë deri në orën 14.30, ndërsa në vijim tek holli i QEK do të bëhet ndarja e çmimeve për pjesëmarrësit në konkursin e fotografisë “Ngjyrat e Dibrës”.
Po ashtu, pasditen e sotme, pranë sheshit të shkollës profesionale “Nazmi Rushiti”do të organizohet koncerti me këngëtarin e talentuar të skenës shqiptare, Lorenc Hasrama.
Përgjatë gjithë fundjavës qytetarë dhe turistë të huaj kanë mundësinë të shijojnë ushqimet tradicionale, vizituar panairin përgjatë pedonales dhe njohur më mirë bukuritë e kësaj zone me plotë potenciale.
Zhvillimi i turizmit në zonën e Dibrës po shënon një epokë të re, sa i përket turizmit malor në vend.
Në Dibër numërohen rreth 23 liqene akullnajore, por ai është i pasur edhe me kulturë, folklor, si dhe ka njerëz mikpritës.



























