Digjitalizimi i gjyqësorit, prezantohet platforma e njoftimit elektronik
Në Shqipëri të shtunën u publikua platforma e parë e njoftimit elektronik.

Platforma trajton një nga çështjet sistematike në gjyqësorin shqiptar duke siguruar një komunikim në kohë reale për të gjithë avokatët dhe përdoruesit e gjykatave dhe informacion të detajuar mbi thirrjet dhe njoftimet gjyqësore në përputhje me dispozitat ligjore aktuale.

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, theksoi se “shtrirja e instrumenteve të tilla të komunikimit digjital jo vetëm në të gjitha gjykatat, por edhe për të gjithë aktorët do t’i jepte fund një problemi madhor dhe kronik që sistemi ka sot me kohëzgjatjen dhe zvarritjen e gjykimeve si edhe në sigurimin e një pjesëmarrjeje efektive të të gjitha palëve të interesuara dhe publikut”.

Jutta Gützkow, Shefe e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, në fjalën e saj përshëndetëse, theksoi rëndësinë e platformës online drejt një sistemi drejtësie më efikas për ofrimin e shërbimeve cilësore për qytetarët shqiptarë. “Qëllimi që duhet arritur është reduktimi i kohëzgjatjes së procedurave duke siguruar të drejtën e qytetarëve për një gjykim të drejtë brenda një kohe të arsyeshme në përputhje me nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, përfundoi Gützkow.

Lenka Vitkova, Shefe e Seksionit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, nënvizoi ndikimin e teknologjive të reja në ofrimin e shërbimeve cilësore për publikun. “BE me krenari po mbështet Shqipërinë në ngritjen e një sistemi të ri dighital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, që përmirëson shërbimet publike në gjyqësor. Këto mjete të reja do të jenë të suksesshme vetëm nëse bazohen në bashkëpunim profesional, trajnim dhe përkushtim”, tha Vitkova.

Fatmir Braka, Zv.Kryetar i Dhomës së Avokatisë Tiranë, në fjalën e tij u shprehu mbështetjen dhe rëndësinë e kësaj platforme për gjykatat. “Krijimi i këtij sistemi elektronik dhe aksesi në të i avokatëve në çdo kohë nëpërmjet pajisjeve elektronike si telefona e tablete, do të ndihmonte dhe do të shmangte vonesat dhe vështirësitë prezente.”, u shpreh Braka.

Testimi i platformës nisi në fund të qershorit 2022, i ndjekur nga ngritja e kapaciteteve të stafit të Gjykatës së Rrethit Tiranë. ësor.

Nëpërmjet zbatimit të hartës së re gjyqësore, platforma do të shtrihet në të gjitha gjykatat e tjera në vend.

Platforma e komunikimit elektronik, është një iniciativë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, e mbështetur nga Projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Forcimi i Cilësisë dhe Efikasitetit të Drejtësisë në Shqipëri” (SEJIII) në kuadër të “Instrumentit Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”.

/ rtsh.al /