Mjekja neurologe pranë Shërbimit të Neurologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Aida Quka tha në një intervistë për ATSH-në se pavarësisht përparimeve në trajtim, informimi dhe ndërgjegjësimi i publikut vijojnë të jenë thelbësorë për diagnostikim të hershëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve.

Sipas të dhënave mjekësore, Quka shprehet se prevalenca e epilepsisë në Evropë llogaritet rreth 5,5–6,5 raste për 1000 banorë, ndërsa nga një studim i disa kohëve më parë në Shqipëri ka një prevalencë me rreth 14 raste për 1000 banorë, që mund të lidhet me sëmundshmërinë më të madhe foshnjore dhe nivelin e ulët të shërbimit shëndetësor ne fshatrat e thella.

“Në Shërbimin e Neurologjisë, paraqiten mesatarisht 15-20 raste me epilepsi çdo javë, për arsye mjekimi ose diagnostimi, disa prej të cilëve shtrohen nga urgjenca me kriza të shpeshta në formë statusi epileptik ose diagnostikohen për herë të parë”, tha Quka.

Sipas mjekjes, disa nga shkaqet që çojnë në zhvillimin e epilepsisë mund të lidhen me anomalitë e lindura të trurit, ose me infeksionet e kaluara në moshë pediatrike.

“Në moshat mesatare, shkaqet më të shpeshta janë dëmtimet traumatike të trurit (aksidentet) dhe tumoret ose infeksionet e trurit. Tek të moshuarit shkaqet më të shpeshta janë aksidentet cerebro-vaskulare (ishemitë ose hemorragjitë cerebrale), tumoret e trurit, traumat, sëmundjet kronike renale, diabeti dhe më rrallë demenca (plakja e parakohshme e trurit)”, pohoi ajo.

Mjekja neurologe shprehet se “epilepsia nuk ka shenja paralajmëruese dhe mund të shfaqet si humbje e menjëhershme e vetëdijes, rrëzime të shpeshta pa e kuptuar, pasuar ose jo me konvulsione (kontraksione dhe lëvizje të pakontrolluara të trupit)”.

“Por në raste më të rralla mund të shfaqen shenja që paraprijnë krizat, të cilat quhen aura dhe janë simptoma që shfaqen pak sekonda para shfaqjes së krizës. Ato i bëjnë pacientët të kuptojnë se do ndodhë diçka dhe mund t’i ndihmojnë të marrin masa. Çdo individ që përjeton episode të shkurtra (nga disa sekonda, në pak minuta) me ndjesi të çuditshme në trup, lëvizje të pavullnetshme të fytyrës dhe anësive apo humbje të vetëdijes, duhet të paraqitet tek neurologu për konsultë”, theksoi Quka.

Quka pohon se ekzistojnë forma të shumëllojshme krizash epileptike, duke filluar nga episodet e shkurtra të mpirjes së dorës apo krahut, lëvizje/kontraksione të pavullnetshme të një dore/krahu apo fytyre, ndjesi të çuditshme ankthi apo halucinacione që zgjatin pak sekonda (të nuhatjes, të shikimit, etj.), deri në kriza me humbje vetëdijeje, rrëzime me ose pa lëvizje të pavullnetshme të gjymtyrëve.

“Kjo do të thotë se jo të gjitha llojet e epilepsive janë me shenja dramatike, si rrëzimi në tokë dhe konvulsionet apo shkumë nga goja. Në disa raste kur krizat ndodhin natën, individët që jetojnë vetëm nuk e kuptojnë, por mund të kuptojnë pasojat si urinim i pavullnetshëm, kafshim i gjuhës ose luksacione të krahut, që mund të ndodhin gjatë krizave konvulsive në gjumë”, vijoi ajo.

Quka thotë se personat me epilepsi dhe kriza të shpeshta nuk duhet të qëndrojnë në lartësi apo në det vetëm, nuk duhet të ngasin makinën, pasi mund të kryejnë aksidente gjatë krizave. Për sa i përket stilit të jetesës, është e rëndësishme shmangia e sasive të mëdha të pijeve energjike, kafeinës, alkoolit apo përdorimit të drogave.

“Pacientët me diabet duhet të menaxhojnë më mirë diabetin dhe të evitojnë ëmbëlsirat, pasi diabeti i pakontrolluar ndikon direkt në shtimin e krizave”, thotë Quka.

Mjekja Quka, nënvizon për ATSH-në, se stigma dhe paragjykimet janë shumë të larta në shoqërinë tonë për pacientët me epilepsi dhe kjo bën që një pjesë e madhe e tyre të vuajnë nga ankthi apo depresioni dhe të izolohen nga pjesa tjetër e shoqërisë.

“Mendoj se këta pacientë duhen inkurajuar dhe se pjesa më e madhe e tyre mund të integrohen shumë mirë në shoqëri, të bëjnë një jetë normale me mjekimet e duhura, të shkollohen dhe të punësohen si gjithë të tjerët. Stili i jetesës luan një rol kryesor në jetën e pacientëve me epilepsi, pasi ka ndikim direkt në shpeshtimin apo rrallimin e krizave”, vijoi ajo.

Quka u rekomandon pacientëve me epilepsi kryerjen e konsultave të rregullta me neurologun, marrjen e mjekimeve dhe ndjekjen e një stili jetese të shëndetshëm për një cilësi jete më të mirë.

“Do t’iu rekomandoja pacientëve, të mjekuar me neurologun e zonës ku banojnë, të cilët nuk kanë një menaxhim të mirë të krizave me mjekimet aktuale, të paraqiten për konsulta të specializuara në punktin e epilepsisë, pranë Shërbimit të Neurologjisë në Qendrën Universitare Spitalore “Nënë Tereza”, për një opinion më të specializuar dhe opsione të reja trajtimi në konsultat multidisiplinare që zhvillohen tek ne”, përfundoi Quka.

/e.i/j.p/r.e/