TIRANË, 15 maj/ATSH/ Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 15 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Familjes, në mënyrë që të rrisë ndërgjegjësimin për problemet dhe çështjet e familjes dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

Në këtë ditë, në gjithë botën organizohen aktivitete të nivelit lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, të cilat kanë për qëllim të tregojnë probleme të ndryshme të rëndësishme për familjen dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin ato.

Qëllimi i shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Familjes është që të promovojë familjen dhe vlerat e saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi se përmes strategjisë së deinstitucionalizimit, ekipet e MSHMS-së po punojnë çdo ditë që të gjithë fëmijët e institucioneve të përkujdesit social, të kenë një familje.

Ministrja bëri të ditur se në Ditën Botërore të Familjes, një vogëlush nisi një jetë të re në strehëzën e dy prindërve që mezi kanë pritur ta birësojnë.

“Sot, në Ditën Botërore të Familjes, nis një jetë e re për këtë vogëlush, që do të gjejë ngrohtësinë e dy prindërve që mezi kanë pritur ta birësojnë. Pas një viti qëndrimi dhe përkujdesi me dashuri nga stafi i përkushtuar i Shtëpisë së Foshnjes “Hannah dhe Rozafa”, jemi të lumtur që një tjetër foshnje ka gjetur strehën e ngrohtë familjare”, tha Manastirliu.