
Këtë të diel shënohen 25 ditë që prej fillimit të luftës në Ukrainë nga Rusia. Rezistenca e lartë e Ukrainës ka bërë që Rusia të rrisë bombardimet në shumë qytete, kryesisht në Mariupol dhe Kiev. Sot Ukraina është zgjuar me një sulm në një shkollë arti në Mariupol, e cila strehonte brenda 400 civilë. Besohet se shumë persona kanë mbetur nën rrënoja. Nga ana e tij, Zelensky ka thënë se sulmet e ushtrisë ruse do të futen në histori si krime lufte
08:31 Rusia sulmon shkollën që strehonte 400 persona, njerëzit mbeten nën rrënoja
Autoritetet lokale në Mariupol thanë se forcat ruse kanë bombarduar një shkollë ku po strehoheshin 400 persona. Në një postim në Telegram, këshilli i Mariupolit tha se shkolla është shkatërruar dhe se banorët janë nën rrënoja. Sipas mediave të huaja, gra, fëmijë dhe të moshuar strehoheshin në këtë shkollë. Ende nuk dihet nëse ka viktima apo sa është numri i të plagosurve.


























