Veprimtaria e përvitshme “Dita e Miqësisë e Gazetarëve”, oganizuar nga Dega e Elbasanit dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH), në partneritet me Shoqatën Kulturore “RESS EGNATIA”, u zhvillua me sukses të plotë në datat 19 deri në 21 Shkurt në Gjirokastër, Sarandë dhe Ksamil.
Tema për diskutim: “Media, Pandemia dhe Turizmi”
Edicioni i 9-të i kësaj veprimtarie organizuar në rajonin jugor të vendit pati për prioritet promovimin e turizmit në kushtet e pandemisë globale të Covid-19. Cikli i veprimtarive që u realizuan, kishte pamjen e një sfide anticovid dhe si debat të përshtatur për këtë situatë me temën “Media, Turizmi dhe Pandemia”.

Në Ditën e Miqësisë së Gazetarëve në Gjirokastër e Sarandë u përfshinë rreth 60 gazetarë profesionistë nga të gjitha qarqet e vendit: Tirana, Shkodra, Elbasani, Durrësi, Fieri, Vlora, Gjirokastra, Kurbini, etj, të cilët vinin nga mediat e shkrura, vizive dhe mediat sociale. Gazetarët, pjesëmarrës të kryeqytetit dhe qarqeve të Veriut u nisën nga Tirana dhe gjatë udhëtimit drejt Jugut, këtij grupi iu bashkuan edhe gazetarët e qarqeve të tjera. Nga nisja e veprimtarisë, gjatë gjithe pikave të programit dhe deri në mbyllje të saj, organizatorët janë kujdesur për të respektuar të gjitha protokollet dhe kufizimet e imponuara nga pandemia.
Në tetë edicionet e mëparshme, organizatorët e Ditës së Miqësise se Gazetareve Shqiptarë kanë ndjekur skemën e shtrirjes së zhvillimit të saj në qytete të ndryshme brenda vendit dhe në qytete në gjithë hapësirat shqiptare; Elbasan, Shkodër, Korçë, Prishtinë, Tetovë, Strugë, Ulqin, Prizren dhe Preshevë. Kjo shtrirje ka bërë që gazetarët shqiptarë të kenë mundësinë e njohjes dhe të bashkëpunimit të ngushtë për të gjitha problemet, që lidhen me ushtrimin e profesionit dhe misionit fisnik të gazetarit dhe përmirësimin e profesionalizmit dhe etikës së mediave.

Gjirokastër: Në kushtet e pandemisë gazetarët të trajtohen njëlloj si mjekët.
Në sallën e auditorit të madh të Universitetit “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës u zhvillua seanca e parë e Konferencës me temë “Media, Turizmi dhe Pandemia”. Në çelje të konferencës u mbajt një minutë heshtje në nderim të gazetarëve të ndarë nga jeta për shkak të pandemisë, për Zenepe Lukën, Lekë Planin, Sokrat Papadhopullin, Preng Shoten dhe pronarin e Fax News, Kasem Musabelliu. Një homazh ndryshe, me duartrokitje u mbajt edhe për te famshin e polifonisë shqiptare, poetin Lefter Çipa.
Sipas kryeorganizatorit të veprimtarisë, gazetarit Besim Dybeli, kryetarit të degës së Unionit të Gaxetarëve, qarku Elbasan, që çeli konferencën: “Qëllimi kësaj dite të shënuar për ne gazetarët është që krahas njohjes dhe bashkëpunimit, t’i japim kësaj dite dimensione te reja pjesemarrjeje, diskutimi dhe reagimesh mes profesionistëve të medias nga të gjitha hapësirat e rajonit Ballkanik të banuara nga bashkëkombasit tanë shqiptarë”.

Gazetarët në konferencë debatuan për rolin dhe kontributin e veçantë që kanë mediat në dhënien e informacionit të saktë, të shpejtë dhe korrekt për zhvillimet që lidhen me shtrirjen e pandemisë dhe me ndikimin. U diskutua per rolin e mediave në rikthimin e normalitetit dhe veçanërisht në shbllokimin e situatës në fushën e turizmit. “Informacioni, që përcillet nga mediat për destinacionet, atraksione dhe shërbimet e tjera ndaj turizmit kanë peshë dhe vlerë në rikthimin e veprimtarisë turistike aktualisht të paralizuar nga pandemia. Gjatë vitit të kaluar operatorët turistikë vendas dhe të huaj, u tërhoqën nga 95 % të rezervimeve të bëra në subjektet me aktivitet turizmi në Gjirokastër”, u shpreh gazetari Engjëll Serjani.

Duke debatuar rreth kësaj teme, gazetarja Anila Basha hodhi idenë që gazetaret duhet të përfshihen në grupin prioritar të vaksinimit kundër Covid-19, sepse, pas mjekeve, infermiereve dhe farmacistëve, janë gazetarët dhe punonjësit e medias që ndodhen pranë dhe në kontakt me persona të infektuar apo mbartës të virusit. -“Ne kërkojmë më shumë vemendje nga autoritetet e menaxhimit të situatës për bërjen e tamponeve të shpejtë, kontrollin e vazhdushëm, vaksinimin dhe trajtimin prioritar të gazetareve të ekspozuar ndaj rrezikut të infeksionit nga Covid 19”- u shpreh gazetarja Basha.

Gjatë qëndrimit në qytetin e Gjirokastrës, grupi i gazetarëve vizitoi disa nga muzeumet dhe monumentet e qytetit të Gjirokastrës të mbrojtur nga qeveria shqiptare dhe UNESCO, si qytet me një trashëgimi kulturore arkitekturore të veçantë. Ata qëndruan në Shtëpinë Muze të shkrimtarit Ismail Kadare, vizituan Muzeun Etnografik, Shtëpinë monument kulture të Zekatëve dhe Skëndulatëve. Gjithashtu, ata vizituan të nesërmen edhe Parkun Kombëtar të Antigonesë, ku morën mjaft informacione të vlefshme për këtë qytet të ndërtuar nga mbreti Pirro i Epirit, qytet me një urbanistikë dhe element qytetërues nga më modernët e shekullit të III-II, para Krishtit, kur jeta lulëzonte në këtë qytet, që Pirro e pagëzoi me emrin e gruas së tij, Antigona.
Kryetari i bashkisë sëë Gjirokastrës zoti Flamur Golemi, priti në zyrën e tij një përfaqësi të gazetarëve të pranishëm në Gjirokastër në kuadrin e Ditës së Miqësisë së Gazetarëve.- “Është kënaqësi e veçantë për mua që të takohem me përfaqësues të mediave nga qytete të ndryshme të vendit, pjesëtarë të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, që ndodheni këtë fundjavë në Gjirokastër. Tema e këtij turneu miqësor që ju keni zgjedhur “Media, Pandemia dhe Turizmi” është një pike takimi dhe bashkëpunimi me strukturat e pushtetit vendor, është një mbështetje që ju i jepni zhvillimit të turizmit”, u shpreh kryetari i Bashkisë zoti Golemi.

Bashkëbisedimi në zyrën e kryebashkiakut të Gjirokastrës u shtri nga aktualiteti mediatik tek pandemia, nga mbështetja e medias për turizmin tek marrdhëniet e medias me strukturat e qeverisjes vendore. Gazetarët nënvizuan se Gjirokastra si një destinacion i rëndësishëm turistik, mbetet një mundësi e mirë për të folur mbi sfidat e përbashkëta për të parapërgatitur rikthimin e turistëve pas mënjanimit të pandemisë. Mediat, nënvizoi kryebashkiaku Golemi, ka një rol të çmueshëm për të informuar publikun, për të pasqyruar punën e institucioneve, për të ruajtur qasjen kritike dhe natyrisht për të promovuar vlerat e përbashkëta dhe atraksionet tona të mrekullushme. Gjatë bashkëbisedimit u fol edhe për vëmendjen e gazetarëve, për të mos rënë në kurthin e lajmeve të rreme, që është shqetësim për shoqërinë edhe për vetë etikën dhe profesionalizmin e gazetarëve.
Kryetari i Shoqatës Kulturore RESS-EGNATIA Xhimi Vila falenderoi kryetarin e bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi për kontributin dhe mbështetjen që i ka dhënë organizimit të edicionit të 9-të të Ditës së Miqësisë së Gazetrëve, duke u bërë kështu një partner i denjë dhe i përhershëm me organizatorët e këtij eventi me shtrirje mbarëshqiptare.


Sarandë: Perla e turizmit shqiptar ka gjithmonë nevojë për vëmendjen e mediave.
Dita e dytë e veprimtarisë vazhdoi në qytetin e Sarandës dhe filloi nga pika turistike e Syrit të kaltër në Bistricë. Gazetarët u njohën me vlerat panoramike të pejsazhit dhe të burimit karspik të Syrit të Kaltër që bëjnë pjesë në atraksionet natyrore turistike të Sarandës.
Në mjediset e resortit “Nertili”, vendosur në breg të Detit Jon, u zhvillua seanca e dytë e Konferencës “Media, Pandemia dhe Turizmi”, ku me gazetarët e ardhur nga gjithë Shqipëria u bashkuan edhe gazetarët e mediave lokale sarandiote. Gjatë debateve në këtë konferencë, gazetarët u ndalën në përgjegjësitë dhe angazhimet që duhet të kenë mediat më promovimin e vlerave turistike, në përmirësimin e cilësisë së shërbimit turistik dhe në paraqitjen me vërtetësi të vlerave, ashtu edhe të problemeve që shqetësojnë turistët dhe pushuesit gjatë pikut të sezonit turistik. Diskutantët u ndalën edhe në disa raste negative të paraqitjes së situatës me informacion negative, me nota trishtuese, me egzagjerime, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin dhe ndikojnë negativisht tek operatorët ndërkombëtar turistik në frenimin e ardhjes së turistëve dhe vizitorëve të huaj.
Gjatë kësaj seance edhe një herë gazetarët pjesëmarrës mbështetën idenë e gazetares Anila Basha që gazetaret të përfshihen në grupin e profesioneve prioritare në trajtimin mjekësor dhe në procesin e vaksinimit kundër Covid-19. Krahas punonjësve të shërbimit shëndetësor edhe gazetarët dhe punonjësit e medias gjenden vazhdimisht pranë dhe në kontakt me persona e infektuar apo mbartës të virusit.
Gjatë diskutimeve gazetarët nënvizuan se pandemia e koronavirusit Covid-19, përveç krizës shëndetësore, ka ndikuar në sjelljen e njerëzve dhe zakoneve të tyre të përditshme, sjellje e cila ka shkaktuar edhe ndryshime në ekonomi, e veçanërisht në turizëm. Turizmi po pëson humbje të mëdha dhe ende nuk dihet se kur do të fillojë aktiviteti në këtë sektor me peshë në të ardhurat e komunitetit të banorëve sarandiotë. Kriza e shkaktuar nga COVID-19, në botë, në vendet e rajonit dhe në Shqipëri e ka prekur rëndë jo vetëm sektorin e turizmit, por dhe të sektorë të tjerë, që lidhen me turizmin, respektivisht hotelirinë, zanatet dhe transportin, investimet në ndërtimtari, shërbimet në sektorin public dhe në atë privat.
Duke folur në këtë seancë të konferencës mediatike, Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, krahas të tjerave nënvizoi nevojën e forcimit të solidaritetit të gazetarëve për të parashtruar me kurajo gjithë problematikën e situatës së punonjësve të medias që lidhet me informalitetin, pagesat e rrogave dhe sigurimeve shoqërore të tyre

Një takim të veçantë për një grup përfaqësues të gazetarëve nga gjithë vendi rezervoi edhe kryetari i bashkisë së Sarandës Ardian Gurma. Duke uruar mirseardhjen në Sarandë, kryebashkiaku Gurma i uroi dhe falenderoi mysafirët e tij për inisiativën e organizimit të Ditës së Miqësisë së Gazetarëve, si një veprimtari me ndikim në njohjen e të gjitha vlerave të trashëgimisë kulturore, atraksionet turistike kulturore dhe natyrore. -“Ne përfaqësuesit e pushtetit vendor e ndjejme si tepër të nevojshëm bashkëpunimin me mediat, lokale dhe qëndrore, jo vetëm për të promovuar vlerat turistike, por edhe për të marrë sygjerimet dhe kritikat reale që vinë nga mediat, për të përmirësuar shërbimet jetësore për komunitetin dhe shërbimet publike cilësore që lidhen me turizmin”, – nënvizoi kryetari Adrian Gurma.
Kryetari i UGSH Aleksandër Çipa e njohu bashkëbiseduesin me qëllimin e organizimit të Ditës së Miqësisë të Gazetarëve, si një date, ku krahas njohjes me disa nga vlerat më të spikatura historike, kulturore dhe ekonomike të rajoneve të ndryshme brenda vendit dhe në hapësirat e rajonit ku jetojnë shqiptarët, por edhe si një ditë ballafaqimi dhe reflektimi të repektimit të etikës dhe profesionalizmit në radhët tona.
Duke marrë fjalën në këtë takim, gazetari i njohur Frrok Çupi u ndal tek disa fenomene të padëshiruara që vërehen në punën e mediave shqiptare, sikurse janë lajmet e rrema, sulmet e pabazuara në fakte, “gjobat” e gazetarëve ndaj përfaqësuesve të strukturave të qeverisjes vendore, etj. -“Këto fenomene ne i njohim, i luftojmë dhe përpiqemi t’i korigjojmë nëpermjet vetëkontrollit dhe vendosjes së standarteve profesionale dhe etike”, – nënvizoi Çupi,
Drejtuesit e degëve të UGSH në qarqet Elbasan dhe Fier dhe Shkoder, Besim Dybeli, Vladimir Muçaj dhe Gasper Marku, në fjalën e tyre nënvizuan nevojën e forcimit të bashkëpunimit media-pushtet vendor, përmirësimin e partneritetit në shërbim të informimit dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së administratës vendore.
Xhimi Vila, kryetari i Shoqatës Kulturore RESS-EGNATIA falenderoi kryetarin e bashkisë së Sarandës Ardian Gurma për mbështetjen që i ka dhënë organizimit të edicionit të 9-të të Ditës së Miqësisë së Gazetarëve Shqiptarë, duke kontribuar e bashkëpunuar si partner me organizatorët e këtij eventi me shtrirje mbarëshqiptare.
Gjatë qëndrimit në Sarandë, ditën e parë të vizitës grupi i gazetarëve sipas një guide të paracaktuar lëvizi në qytetin turistik, në Kalanë e Lëkursit dhe Manastirin e 40 Shenjtorëve. Të nesërmen, në Butrint dhe Ksamil ku u takuan me kompozitorin e njohur Limoz Dizdari në mjediset e Qendrës Kulturore “DEA” që ai ka ngritur në Ksamil.
Kthimi i grupit të gazetarëve pjesëmarrës në Ditën e Miqësisë, organizuar në Gjirokastër e Sarandë e realizoi duke përshkuar rrugën e Rivierës duke shijuar peizazhin e bregdetit shqiptar të Jonit