Ministria e Jashtme zhvilloi një ceremoni përkujtimore në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit, ku Shqipëria është një ndër të paktat vende që mbrojti hebrenjtë gjatë përndjekjes së tyre në Luftën e Dytë Botërore. Të ftuar në ceremoni ishin ambasadorë në vendin tonë si Peter Zingraf dhe Yuri Kim, por edhe fëmijë të familjeve hebreje që ishin strehuar në Shqipëri.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, e cila tha se Shqipëria ka miratuar ligjërisht dënimin e antisemitizmit dhe ka forcuar sistemin arsimor për të edukuar brezat kundër antisemitizmit.
Xhaçka tha se shiptarët duhet të ndihen krenar që antisemitizmi dhe urrejtja racore s’kanë vend në shoqërinë tonë.
“Të edukojmë vlerat e humanizmit në shkolla dhe familjet tona kundër diskriminimit. Shqipëria ka miratuar përkufizimin e antisemitizmit dhe ka forcuar edukimin kundër antisemitizmin në shkolla. Sot shohim se shqiptarët ditën të ruajnë vlerat njerëzore dhe mbrojti mijëra hebrenjë dhe është me vend të kujtohet kjo histori shqiptare e shpëtimit të tyre. Jo vetëm se na bën krenar por na mëson se si të luftojnë antisemitizmin. Lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është një nga prioritetet tonë në KS në OKB. Dërguam një mesazh të qartë se antisemitizmi dhe urrejtja racore s’kanë vend në shoqërinë tonë”, tha Xhaçka.
/rtsh.al/



























