ATSH/- Nismës “Dita pa Makina” i janë bashkuar edhe bashkitë e tjera në të gjithë vendin me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për të shmangur të paktën për një ditë përdorimin e automjeteve të tyre.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako bën të ditur se me datë 3 Prill do të fillojë zbatimi i nismës “Dita pa makina” dhe në këtë qark me qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit.

Sako thekson se këtë të dielë, nga ora 09:00 deri në 15:00 do të ndalohet qarkullimi i mjeteve privatë në akset rrugore: Bulevardi “Dyrrah” – Rruga “Grigor Durrsaku”, rruga “Aleksandër Goga” nga Mauzoleumi i Dëshmorëve – Bulevardi “Epidamn” deri tek Torra Veneciane.

Për realizimin e kësaj nisme, Bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për të kufizuar qarkullimin e mjeteve private në disa akse rrugore.

Edhe bashkitë e tjera në vend kanë njoftuar qytetarët për kufizim të qarkullimit në rrugët kryesore ndërsa u kanë apeluar që t’i bashkohen kësaj nisme.

Hartimi i planit kombëtar të ditëve pa makina u bë i ditur një javë më parë nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila theksoi se në kushtet e një krize energjitike dhe karburanti, por edhe si përgjigje ndaj angazhimeve mjedisore të Shqipërisë, është një nismë e parë për të reduktuar lëvizjen me makina në ditët e pushimit