Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Fier përcolli për publikun pamjet e rralla të çeljes së vezëve në një fole breshkash në bregdetin e Divjakës.
Sipas specialistëve të AdZM së Fierit, 3 ditët e fundit ata asistuan në një nga fenomenet më spektakolare të jetës së egër, pas monitorimeve pa fund dhe netëve të gjata pa gjumë. Specialistet e AdZM Fier kanë asistuar në çeljen e vezëve të një foleje breshke e llojit Caretta Caretta.
Çelja zakonisht zgjat për disa ditë. Për folenë që u mbajt nën mbikqyrje janë dashur 3 ditë dhe deri tani kanë dalë 61 breshka të vogla. Gjatë ditë-netëve të mbikqyrjes specialistët e AdZM Fier kanë pasur edhe mbështetjen e shumë dashamirësve të natyrës. Pranë folesë u mblodhën turistë të huaj, banorë vendas dhe aktivistë mjedisorë, të cilët sipas një grafiku bënë monitorimin e folesë 24 orë.
“Edhe një herë tjetër konfirmohet rëndësia e bregdetit të Divjakës, për folezimin e kësaj specieje”, thuhet në njoftimin e Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura Fier. /j.p/atsh


























