ATSH/-Këshilli Bashkiak i Durrësit ka miratuar këtë të enjte listën familjeve përfituese e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin korrik 2020.

Këshilli Bashkiak i Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e radhës në sallën e qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu” duke zbatuar protokollin e sigurisë së institucionit, për masat e marra kundër Covid – 19, sipas udhëzimeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Në këtë mbledhje ka marrë pjesë kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako e cila ka sqaruar anëtarët e këshillit bashkiak lidhur me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me procesin e rindërtimit në Bashkinë e Durrësit.

Në këtë mbledhje u miratuan lista e familjeve përfituese e ndihmës ekonomike nga fondi i kushtëzuar për bllok ndihmën ekonomike deri 6 % dhe fondi nga të ardhurat e bashkisë, për muajin korrik 2020.

Po ashtu u miratua propozimi për shqyrtimin dhe miratimin e ndryshimit të listës së inventarit për pasuritë pyje dhe kullota, parashikuar në vendimin e këshillit të ministrave nr. 433, datë 08.06.2016 “për transferimin në pronësi të bashkive të pyjeve dhe të kullotave publike, sipas listave të inventarit, dhe aktualisht në administrim të Ministrisë së Mjedisit e të ish komunave/bashkive”.

Përveç dy vendimeve të miratuara këshilltarët u informuan edhe për raportin lidhur me punën e këshillit bashkiak për 6 – mujorin e parë të vitit 2020.  Pika shtesë e rendit të ditës lidhur me miratimin e listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësitë administrative nr. 1, 2, 4, 5, 6, Sukth, Katund i Ri, Ishëm dhe Manëz, Bashkia Durrës u shty për tu miratuar në mbledhjen e ardhshme të këshillit bashkiak.